Dy avionë luftarakë francezë Rafale kanë kryer një fluturim përmes hapësirës ajrore polake të shtunën, ka bërë të ditur Forca Ajrore dhe Hapësinore Franceze.
Misioni, i njohur si Eastern Sentry dhe pjesë e operacioneve të sigurisë së NATO-s në krahun lindor të Evropës, shënoi angazhimin e Francës në përpjekjet e aleancës për të forcuar parandalimin, mes tensioneve të larta rajonale.
NATO-ja ka thënë të premten se po forcon qëndrimin e saj mbrojtës në krahun e saj lindor që kufizohet me Bjellorusinë, Rusinë dhe Ukrainën me pajisje të reja, për të penguar agresionin e mundshëm rus pas një ndërhyrjeje nga dronë rusë në territorin polak.
Komandanti suprem i aleancës në Evropë ka thënë se një operacion i ri, i quajtur Eastern Sentry, do të shtojë pajisje nga Franca, Danimarka, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar në mbrojtjet e saj ekzistuese ajrore dhe tokësore.
Avionë luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një luftanije dhe sisteme mbrojtëse tokësore janë premtuar për operacionin.
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, e ka përshëndetur operacionin në një postim në X si “parandalim aktiv dhe gatishmëri për t’u mbrojtur kudo që të jetë e nevojshme”.
Të mërkurën, disa dronë rusë kaluan në Poloni, duke bërë që NATO-ja të dërgonte avionë luftarakë për t’i rrëzuar, dhe duke nënvizuar shqetësimet e vjetra në lidhje me zgjerimin e luftës trevjeçare të Rusisë në Ukrainën fqinje.
Moska ka thënë se nuk e kishte vënë në shënjestër Poloninë dhe aleati i Moskës, Bjellorusia, ka thënë se dronët humbën rrugën sepse ishin bllokuar, por udhëheqësit evropianë kanë shprehur siguri se inkursionet ishin një provokim i qëllimshëm nga Rusia.
Kryeministri pola, Donald Tusk ka hedhur poshtë sugjerimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se inkursioni me dronë në Poloni mund të ketë qenë një gabim.