Autostrada ‘pa kritere’ Tetovë-Gostivar, shpresojmë të mos e ketë fatin e kufirit Llojan-Miratoc (VIDEO)

Shkruan: Fejzi Hajdari

Autostrada Tetovë-Gostivar, e cila as për së afërmi nuk i plotëson kriteret minimale për të quajtur e tillë, sipas kreut të Minstrisë së Transportit, do të jetë prioritet i qeverisë. Që nga fillimi i ndërtimit të saj diku në vitin 1992, shumë pak ose hiç, nuk është investuar për mirëmbajtje, që është e domosdoshme.

Gjendja e tanishme në buxhetin e shtetit, me shumë vrima financiare, nuk jep sinjale dhe shpresë të madhe se një gjë e tillë do të mund të ndodhë në një të ardhme të afërtë.
Ky segment rrugor është ndoshta me frekuencë trafiku më intenziv në vend. Si rezultat i mungesës së investimeve për mirëmbajtjen, në këtë autostradë janë regjistruar më shumë aksidentet me fatalitet të shkallës së lartë. Përvec taksës rrugore edhe ashtu të lartë, nuk është regjistruar ndonjë veprim konkret në kontekst të përmirësimit cilësorë ose simbolik të këtij projekti infrastrukturor.

Pikërisht pagesa e lartë rrugore në të ashtuquajturat “Patarina”, ka hapur shumë dilema për keqpërdorime të mjeteve financiare, por deri tani asnjë përgjegjës nga institucionet, nuk është marrë në përgjegjësi ligjore. Pra shteti, qeveria, ka vënë taksë rrugore me çmim të lartë, në një rrugë e cila as për së afërmi nuk i plotëson standardet për tu quajtur autostradë.

Ekspertë të kësaj lëmie gjegjësisht të komunikacionit rrugor, kanë shpalosur po të njëjtin vlerësim, se rruga në fjalë më shumë është e karakterit rajonal e magjistral, sesa autostradë.Rrjedhimisht duke i patur parasysh vërejtjet konkrete të eskpertëve dhe sidomos gjendjen e mjerueshme fizike të autostradës Tetovë-Gostivar me gropa-gropa dhe skajshmërisht të amortizuar, del që qeveria në mënyrë institucionale i ka plaçkitur qytetarët edhe atë pikërisht në segmentin rrugor më të qarkullueshëm në vend.

Pas gjithë këtyre vërejtjeve profesionale dhe materialo-financiare, na mbetet të shpresojmë që autostrada Tetovë-Gostivar, të mos e përjetojë fatin e çeljes së kufirit Llojan-Miratoc, i cili nga partitë shqiptare premtohet që nga viti 1991, ndërkohë që akoma mbetet i mbyllur. Segmenti rrugor Tetovë-Gostivar, është pjesë e “Korridorit-8” (Durrës-Burgas) që lidhet me “Korridorin-10” (Beograd-Athinë).
Për ndërtimin e këtij korridori ndërkombëtarë, shumë herë janë përpiluar Anekse në projektet dhe janë ndarë fonde, por fundi edhe sot nuk po shihet në horizont.