Një rrjet spiunimi rus në Poloni është ‘thyer’ sipas Shërbimit Sekret polak dhe ministrisë së Mbrojtjes të këtij vendi.
Transmetuesi privat RMF FM raportoi dje se një grup i spiunëve që punonin për Rusinë janë arrestuar.
RMF raportoi se Shërbimi Sekret polak ka arrestuar gjashtë persona nën dyshimin se kanë spiunuar për Rusinë dhe pretendojnë se ky grup planifikonte aktivitete sabotimi.
Duke folur për këtë rrjet spiunësh, ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak tha për transmetuesin publik Polskie Radio 1: “dua të përmend suksesin e madh që u arrit nga zyrtarët e agjencisë së inteligjencës, sepse i tërë rrjeti i spiunëve është zbuluar”.
“Është një dëshmi e pakontestuar se shërbimet polake të inteligjencës po punojnë në sigurinë e vendit tonë në një mënyrë shumë efikase”, shtoi Blaszczak.