Autoritetet në Shqipëri: Zjarret në Vlorë dhe Fier, shumë kritike

Zjarret në vendgrumbullimin e mbeturinave në Vlorë dhe në fshatin Peshtan në Fier, janë cilësuar si “mjaft kritike” nga autoritetet në Shqipëri.

Vatrat e zjarrit janë aktive tash e tri ditë në fushën ku grumbullohen mbeturinat e qytetit të Vlorës në Shqipëri. Derisa plehrat e ndryshme që hidhen në këtë vendgrumbullim, po digjen si pasojë e zjarrit, tymi ka mbuluar qytetin e Vlorës dhe kjo gjendje u krijua në kulmin e sezonit turistik.

Kjo nuk është hera e parë që ky vendgrumbullim i mbeturinave në Vlorë përfshihet nga flaka. E njëjta situatë ndodhi edhe në fillim të këtij muaji.

Të hënën, në vendgrumbullimin e mbeturinave mbërriti edhe një ekip nga Ministria e Mjedisit e Shqipërisë (MMSH), për t’i vlerësuar dëmet e shkaktuara në mjedis nga djegia e mbeturinave, një gjendje që opozita e ka quajtur “krim mjedisor me pasoja të rënda”.

Zjarri në vendgrumbullimin e mbeturinave në Vlorë, ngjarje e përsëritur

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha – i cili e mori zyrtarisht detyrën vetëm dhjetë ditë më parë – ka njoftuar se Prokuroria i ka nisur hetimet, pasi dyshohet se zjarri është i qëllimshëm.

“Kam vetëm 10 ditë në zyrë, e kam gjetur këtë situatë të vështirë, të trashëguar. Zgjidhje përfundimtare është landfili [vendgrumbullim i mbeturinave] i Sherishtës [fshat i Vlorës], por ende nuk është vënë në punë për shkak të disa klauzolave ligjore. Shpresojmë të arrijmë një marrëveshje për Sherishtën”, tha Dredha.

Çështjet ligjore për të cilat foli kryebashkiaku e kanë zanafillën rreth tre vjet më parë, kur në Sherishtë të Vlorës nisën punimet për ndërtimin e një vendgrumbullimi plehrash.

Në kohën kur e inspektoi nisjen e punimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se “nuk do të ndalemi këtu. Siç kemi bërë edhe në Elbasan, Fier dhe Tiranë, edhe në këtë vepër do të ndërtojmë një impiant riciklimi”.

Tenderin për ndërtimin e tij e fitoi kompania e Klodian Zotos, i cili sot është në kërkim për çështjen e inceneratorëve, ku është i përfshirë edhe ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Sipas kontratës, ndërtimi i këtij vendgrumbullimi duhej të kishte përfunduar në vitin 2021.

Zjarri djeg 30 hektarë pyje në Peshtan të Fierit

Ndërkohë, zjarri në vatrën tjetër të cilësuar kritike, në fshatin Peshtan në Fier, ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll.

Sipas autoriteteve, janë djegur 30 hektarë pyje me pisha dhe dushk. Të dielën, 23 korrik, u desh ndërhyrja nga ajri me helikopter e Emergjencave Civile për ta shuar zjarrin. Zjarri kishte dalë jashtë kontrollit duke iu afruar rrugës Fier-Cakran, dhe duke rrezikuar t’i digjte sipërfaqet e mbjella me ullinj.

Autoritetet e kanë arrestuar një 28-vjeçar, i cili dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Zjarrfikësit thanë se temperaturat e larta mund të ndikojnë në riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

Të hënën, gjatë ditës, është regjistruar një tjetër vatër e re zjarri në këtë qark, në Shtyllas. Bëhet fjalë për një sipërfaqe me shkurre, e cila nuk ndodhet shumë larg ndërtesave të banimit në këtë njësi administrative.

Ministri Peleshi: 125 vatra zjarri në muajt qershor-korrik

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, dhe kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, Haki Çako, mblodhën të hënën në një takim prefektët dhe kryetarët e bashkive për të diskutuar për situatën e krijuar nga zjarret.

Peleshi bëri të ditur se nga qershori deri në fund të korrikut ishin gjithsej 125 vatra zjarri. Ministri ka kërkuar nga autoritetet lokale që sinjalizimi të bëhet me kohë, në mënyrë që të ndërhyjnë ekipet e emergjencave.

Çako e konsideroi shumë kritike situatën në Vlorë dhe në Peshtan. Ai tha se zjarri në Vlorë po përballohet nga forca të shumta të ushtrisë.

“Në Peshtan kemi 50 policë, dy autobotë uji, helikopteri Cougar, bashkë me forcat e policisë së rendit dhe asaj bashkiake”, tha Çako./REL