Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, tha se vrasja e një zyrtari policor në Lloznicë dyshohet të jetë akt terrorist.
“Nuk mund të jetë i rastësishëm, është një sulm i organizuar. Prokuroria për krim të organizuar do ta konsiderojë këtë rast si akt terrorist”, tha Daçiq.
Në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Por, Daçiq tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.
“Është e mundur që ky është një identitet i rremë”, tha Daçiq.
Më vonë, Daçiq deklaroi se janë të rreme pretendimet e Artan Hajrizit, i cili tha se dokumentet e tij personale ia ka marrë i vëllai Fatoni, sepse sipas Daçiqit, nëse i vëllai ka shkuar në Gjermani, “pse është kthyer në Preshevë”.
“Personi i cili i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni i ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani? Kjo tregon qartë se është rënë dakord më herët dhe se është një akt i organizuar”, tha Daçiq.
Ai kërkoi që policia gjermane urgjentisht duhet të përgjigjet nëse Faton Hajrizi ka qenë në Hanover dhe “si ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë dhe pse, me çfarë qëllimi”.
“Pasoja e atij akti dhe organizimi terrorist është vrasja e një polici dhe për këtë kërkojmë dhe presim bashkëpunim të plotë me policinë gjermane dhe [Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë] EULEX-in dhe jo gënjeshtra që askush nuk i beson”, tha Daçiq.
Arrestimet për rastin
Ministri i Brendshëm serb po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar Mithat Haxhiqin nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Brendshme gjermane lidhur me këtë rast, por ky institucion ka thënë se nuk komenton rastet individuale.
Po ashtu, një person tjetër, sipas Daçiqit është është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me rastin.
Sipas tij, i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.
“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.
Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore.
Kurti: Të mos politizohet ky rast
Për vrasjen e policit serb është pyetur në një konferencë për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.
Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.
“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media në mëngjes.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.
Çfarë tha Ministria e Brendshme serbe?
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull, dhe më pas ka ikur.
Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.
Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë./REL