Autoritetet e Kosovës po përcjellin nga afër situatën e krijuar pas vërshimeve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar të hënën Qendrën e Situatave për t’u njoftuar si është gjendja nëpër komunat e prekura më së shumti nga reshjet e shiut dhe borës, që kanë shkaktuar vërshime në disa rajone.

Përveç takimit me drejtorin e kësaj qendre, Shaqir Shaqiri, kryeministri në detyrë Hoti është thënë të jetë në komunim edhe me komandatin e KFOR-it, Gjeneral-majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmëri për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse nëse ka nevojë.

“Institucionet e Kosovës janë duke përcjell nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, është thënë në komunikatën e kryeministrisë.

Një ditë më parë, Instituti Hidrometorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sasitë e reshjeve janë më intensive në rajonin e Dukagjinit.

“Më i atakuari është sistemi lumor i Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuotat maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime (Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Pejës Bistrica e Deçanit, Mirusha, Toplluha) pastaj në pellgun e Ibrit lumenjtë: Ibri, Sitnica, Drenica me degët e tyre”, është thënë në njoftim.