Autoritete bullgare vazhdojnë të mohojnë historinë dhe gjuhën maqedonase

Bullgaria nuk heq dorë. Kërkon për garanci për respektimin e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, në mënyrë që Maqedonia të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian. Zëvendës- Kryeministri dhe Ministri bullgar i mbrojtjes Krasimir Karakaçanov tha në një intervistë për televizionin nacional se ata gjithmonë e kanë ndihmuar Maqedoninë. Sipas tij, “JO-ja” bullgare nuk është përfundimtare, gjithçka varet nga garancitë historike dhe gjuhësore. Karakaçanov pretendon se Car Samoili është bullgar.

Deri më sot, e gjithë shkenca në botë e quan sundimtar bullgar kurse kolegët nga Shkupi, nga i ashtuquajturi komision historik ndërshtetëror, filluan të mbajnë inat si gomari në urë. Ata kishin qëndrim multi, nuk e di se çfarë, ndaj historisë. Më falni, ju mund të keni çfarëdo lidhje me historinë. Historia është një shkencë ekzakte dhe nuk mund të kesh qëndrim të shumëllojshëm ndaj saj. Nesër mund të deklaroni veten banor të Marsit dhe të thoni se Car Samoili është nga Marsi. Por nuk është kështu”-pohoi Krasimir Karakaçanov, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes në Bullgari.

Edhe historianët në Bullgari fajësojnë Maqedoninë. Anëtari i Akademisë Bullgare të Shkencave, Voin Bozhinov, beson se te ne ekziston histeri anti-Bullgare dhe maqedonizmin e vlerëson si devijim mendor. Historiani i bën thirrje Gjermanisë të tregojë se në cilën anë qëndron, ndërsa zgjerimin e BE-së e vlerëson si një forcim të ndikimit gjerman në rajon.

Interesi ynë i përgjithshëm është që Republika e Maqedonisë së Veriut të ekzistojë si shtet i pavarur sepse prania e saj në hartë prish lidhjen tokësore midis serbëve dhe grekëve, e cila është interesi ynë i madh sepse është një kufi që gjithmonë e ka ngulfatur Bullgarinë”-tha Voin Bozhinov, anëtar i ABSHA.

Ndërsa Bullgaria nuk heq dorë nga qëndrimi i saj mbi historinë dhe gjuhën, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të mos lejojë që mosmarrëveshjet dypalëshe të jenë pengesë për Maqedoninë për të filluar negociatat me Bashkimin./ALSAT