Nuk mundem dhe nuk kam premtuar se do të bëj mrekulli brenda natës, sepse kjo është e pamundur dhe e papërgjegjshme që një politikan ta thotë, deklaroi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, në Click Plus. Sipas tij, shumë probleme janë trashëguar nga paraardhësja e tij, por hap pas hapi do t’i zgjidhë një nga një. Ai theksoi se nuk do të vihet në pozitë të mbrojë askënd, veçanërisht nëse dikush rrezikon shëndetin e qytetarëve, duke iu referuar ndotjes së ajrit.
“Dua t’u përcjell qytetarëve sonte një mesazh shumë të sinqertë, e ai është të kenë durim. Unë e di, të gjithë e jetojmë këtë problem prej vitesh, prej dekadash. Por nuk mundem dhe nuk kam premtuar se do të bëj mrekulli brenda natës, sepse kjo është e pamundur dhe e papërgjegjshme që një politikan ta thotë. Por që po veproj, le të jenë të bindur se Orce Gjorgjievski, as Qyteti i Shkupit në katër vitet e ardhshme, nuk do të vihet kurrë në pozitë të mbrojë askënd, veçanërisht nëse dikush po e helmon popullin tonë, tha Orce Gjorgjievski – Kryetar i Shkupit.
Autobusët e vjetruar të NQP-së janë përmendur si një nga shkaqet e ndotjes së ajrit, kryesisht për faktin se për shkak të transportit jofunksional, një numër i madh qytetarësh përdorin automjete private. Gjorgjievski pret që vitin e ardhshëm të ketë autobusë të rinj.
“Jam plotësisht i bindur se Qeveria do t’i dorëzojë autobusët që ka premtuar se do të mbërrijnë për Qytetin e Shkupit dhe, falë atij premtimi, edhe unë, me mbështetjen e Qeverisë, kam premtuar se ata do të dorëzohen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Prandaj jam i bindur se autobusët do të mbërrijnë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”, pohoi Orce Gjorgjievski – Kryetar i Shkupit.
Gjorgjievski në Click Plus foli gjithashtu edhe për procedurën e Prokurorisë, e cila ka ngritur dy aktakuza për mosgrumbullimin e mbeturinave në qytet para se ai të vinte në pushtet, duke theksuar se e gjithë kjo ka qenë një skenar i inskenuar nga paraardhësja e tij.
Në lidhje me: Nga e hëna 55 autobusë privatë rikthehen në qarkullim në Shkup! Gjorgjievski: Edhe 20 deri në fund të vitit, ndërsa në mars edhe 80 të rinj!






