Autoblinda të reja nga ShBA-ja për FSK-në Kurti: Dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sot ishte i nderuar të merrte pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të autoblindave të prokuruara në ShBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në aktivitet morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe atasheu ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, nënkolonel Jonathan Shaw.

Kurti e cilësoi furnizimin si “një tjetër dëshmi e partneritetit të palëkundur me ShBA-të” dhe “një hap të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit”.

Ai shtoi se ushtria e Kosovës do të vazhdojë të zhvillohet krah për krah me partnerin strategjik, jo vetëm në trajnime dhe shkollim, por edhe në ndërtimin e doktrinës të bazuar në atë të ushtrisë amerikane.(INA)