Australia ka ndaluar përkohësisht hyrjen e vizitorëve nga Irani, duke përmendur rreziqet e krijuara nga lufta në rajon dhe mundësinë që qytetarët iranianë të mos largohen pas skadimit të vizave.
Departamenti i Brendshëm njoftoi se masa do të zgjasë gjashtë muaj dhe është në interes kombëtar, ndërsa autoritetet vlerësojnë situatën e sigurisë.
Ndalimi prek shtetasit iranianë që ndodhen jashtë vendit, edhe nëse kanë vizë të vlefshme turistike apo pune. Përjashtime bëhen për ata që janë tashmë në Australi, familjarët e qytetarëve australianë dhe mbajtësit e vizave të përhershme.
Ministri i Brendshëm, Tony Burke tha se vendimet për qëndrimin në vend duhet të jenë të kontrolluara nga qeveria dhe jo pasojë e rrethanave të rastësishme.
Vendimi ka nxitur kritika nga organizata të të drejtave të azilkërkuesve, të cilat paralajmërojnë se masa mund të kufizojë aksesin për personat që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.



