Kryeministri australian Anthony Albanese deklaroi se do ta ngrejë çështjen e tarifave të reja amerikane në bisedimet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, pasi Uashingtoni vendosi tarifa të reja ndaj dhjetëra partnerëve tregtarë, përfshirë Australinë.
Shtetet e Bashkuara njoftuan tarifa të reja nga 10% deri në 12.5% për importet nga 60 partnerë tregtarë, duke argumentuar se këto vende nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar tregtinë e mallrave të prodhuara me punë të detyruar. Tarifat e reja zëvendësojnë masën e përkohshme prej 10% të shpallur në muajin shkurt.
Qeveria australiane i cilësoi tarifat amerikane si “të pajustifikuara” dhe bëri të ditur se do të kërkojë heqjen e tyre. I pyetur nëse do ta diskutonte këtë çështje me Presidentin Trump, Albanese u përgjigj: “Absolutisht. Ne do ta ngremë këtë çështje në çdo nivel të marrëdhënieve Australi-SHBA, gjë që e kemi bërë tashmë.”
Kryeministri theksoi se Australia ka masa të rrepta për luftën kundër skllavërisë moderne dhe se po i forcon ato edhe më tej, përmes kontrolleve më të forta në zinxhirët e furnizimit dhe vendosjes së gjobave e ndëshkimeve të ashpra për shkelësit.
© SYRI.net



