Aty ku Lind Dita herdo – kurdo perëndon dielli!

Shkruan: Kim Mehmeti
(Lindita Ahmetit, në vend të kurorës)
Në vargjet tua ishin të gjitha, si edhe dënesa e foshnjave të porsalindura. E foshnjave të trishtuara nga rrugëtimi që i priste, e që nuk do i çonte asgjë kund tjetër përpos drejtë dhuratës së vetme që ua kishin dhuruar prindërit – vdekjes!.
Pastaj në vargjet tua nuk mungonte as urtësia se dhembjen që të takon nuk duhet mallkuar, por atë duhet ta jetosh dhe bartësh ndershëm, ashtu si edhe vetëdijen se pikëllimin nuk e kanë shijuar vetëm ata që nuk kanë lindur fare.
Nëpërmjet vargjeve tua i the thuajse të gjitha, edhe pse e dije se njerëzit jo se nuk kuptojnë, por që të mund të jetojnë me lehtë, shtiren se asgjë nuk dinë.
Vargjet tua nuk i mposhti dhembja, sepse ti e pranove atë si ta kishe shoqe më besnike, me të cilën do i ndaje të gjitha, përpos vdekjes.
Në të vërtetë, të gjithë vargjet tua kishin për qëllim ta kumtonin të vërtetën se duhet jetuar edhe atëherë kur e dinë se aty ku Lind Dita herdo -kurdo perëndon dielli dhe lëshohet nata! (Kim Mehmeti)