Tenisi nis vitin 2020 nga Australia me një kompeticion të ri, ATP Cup, që i paraprin turneut të parë Grand Slam të vitit, Australian Open. Dy tenistët më të mirë të botës, Rafael Nadal dhe Novak Djokovic, tashmë kanë udhëtuar drejt Brisbane, ku do të zhvillohet ky kompeticion i ri.
ATP Cup zhvillohet mes 24 skuadrave përfaqësuese të ndara në 6 grupe, me ndeshjet që do të luhen në 3 qytete të Australisë. Do të jenë 8 skuadra që do të kualifikohen për në raundin me eliminim direkt, që do të vijojë me raunde të tjera deri në shpalljen e fituesit. Sydney, Brisbane dhe Perth janë qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet në grupe, ndërsa faza finale do të mbahet në Sydney.
Shpërblimi total financiar për pjesëmarrësit në këtë turne do të jetë 15 milionë dollarë, ndërkohë që në lojë për renditjen ATP janë 750 pikë për tenistët në lojën individuale dhe 250 pikë për ata në lojën dyshe. Turneu ATP Cup do të nisë ditën e premte dhe do të mbyllet në 12 janar. Bie në sy mungesa e Andy Murray dhe Kei Nishikori.
Djokovic dhe Serbia do të bëjë debutimin në Brisbane në ditën e dytë, ashtu sikurse edhe Nadal, me Spanjën që do të luajë ndeshjet e tij në Perth. Serbia është në Grupin A të turneut me Francën, Afrikën e Jugut dhe Kilin, ndërsa Spanja ka si kundërshtarë Japoninë, Gjeorgjinë dhe Uruguajin.