Atentat në Berlin: 27-vjeçari nga Radusha ekzekutohet me gjashtë të shtëna, dy autorë në arrati

Berlin – Një 27-vjeçar nga Radusha ka mbetur i vrarë në një atentat me armë zjarri në Berlin, ndërsa dy autorët e dyshuar ende nuk janë identifikuar dhe ndodhen në arrati.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, pak para orës 03:00, në zonën Köllnische Heide, pranë rrugës së njohur Sonnenallee.

Sipas informacioneve të publikuara nga B.Z., viktima dyshohet se është ndjekur nga dy persona në rrugën Planetenstraße. Kur kanë arritur në kryqëzimin me Sonnenallee, të dyshuarit kanë hapur zjarr.

Gjashtë të shtëna janë dëgjuar në drejtim të 27-vjeçarit. Një prej plumbave e ka goditur në kokë.

I riu ka tentuar të largohet duke vrapuar, por është rrëzuar në trotuar, pranë një dyqani.

Një banor i zonës ka rrëfyer për B.Z. se viktima mund të ketë qenë banor i së njëjtës rrugë.

“Thuhet se ai kishte dalë nga dera e banesës dhe i kishte parë ata. Më pas ka vrapuar dhe është plagosur nga të shtënat. Para një dyqani në trotuar është rrëzuar.”

Përpjekjet për ta shpëtuar dështuan

Pas alarmit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë efektivët e policisë dhe ekipet e emergjencës.

Pavarësisht përpjekjeve për reanimim, 27-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Zona është rrethuar në një perimetër të gjerë, ndërsa hetuesit kriminalistikë kanë nisur ekzaminimin e detajuar të vendit ku ndodhi atentati.

Në vendin e krimit janë gjetur dhe shënuar me tabela gëzhoja të plumbave, ndërsa policia ka përdorur edhe skaner 3D për dokumentimin dhe matjen e saktë të të gjithë skenës.

Dy autorët u zhdukën pa lënë gjurmë

Pas të shtënave, dy personat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe deri tani nuk janë arrestuar.

Policia e Berlinit ka nisur një operacion kërkimi për identifikimin dhe kapjen e tyre.

“Hetimet nën dyshimin për një vepër të rëndë penale po i drejton Komisioni i 5-të i Vrasjeve, me urdhër të Prokurorisë së Berlinit”, deklaroi zëdhënësi i policisë, Florian Nath.

Motivi mbetet mister

Për momentin, autoritetet gjermane nuk kanë bërë të ditur motivin e atentatit dhe as rrethanat e plota që i paraprinë vrasjes.

Policia ka konfirmuar vetëm se viktima ishte 27 vjeç, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur identitetin, motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.

Dy autorët e dyshuar vazhdojnë të jenë në arrati, ndërsa Berlini mbetet në pritje të përgjigjeve për një atentat që ndodhi në mes të natës dhe përfundoi me vdekjen e një të riu.