Asociacioni vetëm sipas Kushtetutës

Ua tha publikisht e privatisht. Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, u ka kërkuar udhëheqësve kosovarë ta themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pasi ky është zotim i shtetit.

Por Chollet theksoi se SHBA nuk kërkon asnjë formacion që s’e lejon Kushtetuta e Kosovës.

“Ne nuk do ta mbështesim një marrëveshje si Republika Sërpska. Ne nuk po i kërkojmë Kosovës të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vetë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Chollet, njofton Klan Kosova.

Në takimin e së hënës me gazetarë në Prishtinë, për ASK-në foli edhe i dërguari i posaçëm, Gabriel Escobar, që shtoi se themelimi i tij s’është në vullnetin e individëve.

“Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ligjor ndërkombëtar. Ai e obligon Kosovën, obligon Serbinë dhe e obligon BE-në që e ka udhëhequr, dhe pse ne e kemi përkrahur, është përkushtim i yni. Andaj, një parti dhe një individ nuk mund të ikë nga ai njëanshëm”, tha Escobar.

Chollet shprehi shqetësimet edhe për ngjarjet e fundvitit në veri, duke thënë se kanë krijuar vakuum sigurie në atë pjesë.

“U kërkojmë të dy qeverive që të mos ndërmarrin hapa që mund ta nxisë situatën të eskalojë në një krizë më të madhe që do të ishte e tmerrshme, dhe do të na devijonte nga procesi i ndërmjetësuar nga BE, që ne e përkrahim plotësisht, deri te normalizimi i plotë që do ta arrinte njohjen e ndërsjellë”, tha Chollet.

Zyrtari i lartë amerikan thotë se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë është urgjencë, mirëpo nuk ka ndonjë afat përfundimtar për të.