Asociacioni që nuk duhet të bëhet!

Shkruan: Medai Shaholli

(Pa dorashka)

Asociacioni i komunave serbe në Kosovë nuk është gjë tjetër veç një “REPUBLIKA SRPSKA” brenda Kosovës, që do ta shkëpuste veriun nga integriteri territorial i saj si  kancer i Pavarësisë.

Ndaj, qeveria e Kosovës si pozita ashtu edhe opozita, nuk duhet ta pranojnë këtë sajesë ndërkombëtare si një Bosnjë të dytë për Kosovën, por ta kundërshtojnë me forcë pasi ajo e shpie veriun e Kosovës drejt ndarjes.

Pranimi i Asociacionit nga ana e qeverisë së Kosovës me kompetenca ekzekutive do të thotë dritë e gjelbër e për shkëputjen e veriut nga Kosova përmes komplotit ndërkombëtar dhe levës së tyre të ashtuquajtur Asociacion.

Kjo ishte dhurata e ndërkombëtarëve me Pavarësinë e kontrolluar për Kosovën, duke ia ndarë veriun nga pjesa tjetër e trungut dhe e sovranitetit pa sovranitet.

Ky është “ultimatumi” që u thuhet qeverive të Kosovës që nga Pavarësia e mbikqyrur e këtej se, “Ju duhet ta formoni Asociacionin se ashtu e kemi parashikuar qysh me planin e Ahtisarit”, pasi ne ju çliruam nga agresorët serbë dhe ne vendosim për sovranitetin tuaj, Pavarësinë tuaj ne e mbikqyrim ndërsa sovraniteti juaj është i kufizuar!

Ne vendosim sa ushtarë duhet të ketë ushtria juaj!

Ne jemi këtu për t’ju kontrolluar, të mos bashkoheni me Shqipërinë.

Ky është mesazhi i ndërkombëtarëve që ia adresojnë qeverisë së Kosovës dhe shqiptarëve.

Më në fund i doli era lakrorit të qelbur që kishin përgatitur ndërkombëtarët në kuzhinat e tyre për Pavarësinë e kontrolluar të Kosovës, ku dardha e kishte bishtin prapa.