Asnjë avokat nuk pranon t’i mbrojë dhunuesit që e rrahën vajzën në Shtip

Dy dhunuesit nga Shtipi, që e rrahën një vajzë sepse dyshonin që është shtatzënë dhe rrahjen e kishin filmuar, kanë vështirësi të gjenë avokatë mbrojtës. Disa avokatë që i kanë kërkuar, deri tani kanë refuzuar mbrojtjen e tyre, transmeton Gazeta Lajm.
Xhirimi i rrahjes së pamëshirshme të vajzës ka tronditur Maqedoninë.
Rasti ka ndodhur në qytetin e Shtipit, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë informuar se menjëherë është bërë identifikimi i personave të cilët shihen në video, duke ushtruar dhunë mbi vajzën.
“Ju informoj se personat janë identifikuar, po vepron Byroja për Siguri Publike. Po vepron edhe Qendra për Punë Sociale. Sanksionet më të rënda për sjellje të tillë çnjerëzore”, deklaroi zëvendës ministrja e punëve të brendshme, Sllavjanka Petrovska. Dhunuesit e vajzës, të cilët janë të arrestuar janë Pepi R. dhe Stefan A, nga Shtipi, kurse në opinin qarkulloi informacion se ata janë aktivistë të VMRO-DPMNE-së.
Në ndërkohë Prokuroria e Shtipit ka hapur lëndë për videon e publikuar në rrjetet sociale ku shihet se si dy djem të rinj sulmojnë fizikisht një vajzë.
“Për të siguruar kushte për sjellje të pandërprerë të procedurave të mëtutjeshme dhe zbardhjen e veprës penale duke mbledhur prova materiale dhe gojore, Prokurori Publik nga Prokuroria Publike e Shtipit lëshoi udhëzime dhe urdhra pranë institucioneve kompetente për gjetjen e autorëve dhe ndalimin e tyre. Prokuroria po merr vazhdimisht hapa për të sjellë autorët para drejtësisë”, ka njoftuar prokuroria në Shtip.
Në videon që u publikua në rrjetet sociale shihet se si dy djem keqtrajtojnë një vajzë, e shqelmojnë dhe e ofendojnë. Njëri nga djemtë dëgjohet se si e pyet vajzën: “Qenke shtatzënë nga unë a?!” dhe godet mbi të pa mëshirë, ndërsa të njëjtën gjë më pas e bën edhe djali tjetër. Sipas Kodit penal ata mund të përballen me dënim me burg prej tre muaj deri në tre vite.