Askush nuk është në dijeni të 2.500 punësimeve të VLEN-it në administratë

Në dy vjetorin e Qeverisjes, VLEN mburret me punësimin dhe avancimin e 2.500 shqiptarëve në administratë, megjithatë nuk ofrojnë statistika konkrete se në cilat institucione janë punësuar.

“Punësimi ishte një nga prioritetet tona. Mbi 2.500 punësime dhe avancime u realizuan gjatë këtyre dy viteve”, tha Izet Mexhiti, Bashkëkryetar i VLEN.

”Në këto dy vite kemi realizuar mbi 2.500 punësime dhe avancime”, tha dje Bekim Sali, Sekretar i VLEN.

Ndërkohë kryeministri nuk komenton shifrat e VLEN-it, por thotë se punësimet në administratë bëhen sipas nevojave dhe kompetencave.

“Për mua nuk ka maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllehë, boshnjakë, romë e të tjerë, për mua ka qytetarë të cilët punësohen sipas nevojave të administratës dhe sipas kompetencave të tyre, kuptohet duke e respektuar përfaqësimin e drejtë e cila është vlerë themelore kushtetuese dhe kategori”, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Megjithatë, nëse shfletojmë statistikat zyrtare të Ministrisë së Administratës, numrat e VLEN-it për punësimin e 2.500 shqiptarëve, duken të pavërteta. Në vitet 2024 dhe 2025, administrata është rritur për 4.018 persona, apo 1.547 në vitin 2024 dhe 2.471 në vitin 2025.

Punësimet në administratë gjatë viteve 2024-2025
Punësimet në administratë gjatë viteve 2024-2025

Në rrethana ideale nëse do të ishte respektuar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, prej tyre do të duhej të ishin punësuar rreth 25% apo 1.000 shqiptarë, ndonëse VLEN thotë se ka punësuar 2.500. Megjithatë, këto rrethana janë të diskutueshme duke e pasur parasysh se gjatë gjithë kësaj periudhe s’ka pasur fare balancues dhe nuk dihet se kush sa ka punësuar. Situata mund të jetë madje edhe e rënduar, nëse i shtohet këtu qasja e VMRO-DPMNE-së që meritokracinë e vendos përpara përfaqësimit etnik, ashtu siç VLEN po e promovon ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Punësimet ishin një ndër premtimet e VLEN-it. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme, Alsat ua numëroi përfaqësuesve të VLEN-it premtimet duke filluar nga ndryshimi i kushtetutës, barazinë e plotë të gjuhës shqipe me maqedonishten, ndryshimin e Ligjit për Festat Shtetërore, përdorimin e himnit dhe stemës shqiptare nëpër shkolla e institucione, ndarjen nga 10 mijë për çdo qytetar, krijimin e Bankës Shqiptare, Akademinë Shqiptare, Mbarimi e rrugës Tetovë – Prizren për dy vjet, ndërtimin e Portit të thatë në Strugë, pensione për personat që nuk kanë pasur sigurim, kredi me zero kamatë për çiftet e reja që dëshirojnë të blejnë banesë, karton të gjelbër 1 euro, lojëra panshqiptare, ministër të Brendshëm shqiptar, erasmus shqiptar, heqjen e 20%, dëmshpërblim për të përndjekur politik dhe hapjen e dosjeve jugosllave, ligj për veting, ndarjen e Maqedonisë në tetë njësi zgjedhore, por edhe krijimin e një Gjykate që do të merret me problemin e punëtorëve.

Sekretari i partisë Bekim Sali, i cili njëherësh mban dhe postin e zëvendëskryeministrit të parë, dje pranoi që asnjëra prej këtyre pikave s’është realizuar.

“Aty sa pika keni? 20. Domethënë 20 pika tani do të lexoni edhe 20 tjera të cilat nuk janë të shkruara, por janë të realizuara që nënkupton se ne brenda 20 viteve kemi realizuar diçka bile edhe jashtë programit tonë. Me të cilën mburremi. Kjo i bie 100% jashtë kësaj liste që i numëruat ju”, tha Sali. /Alsat.mk