ASK: Gjysmë milioni qytetarë janë regjistruar në dy javët e para

Mbi gjysmë milioni qytetarë rezidentë dhe rreth 36 për qind e të gjitha objekteve janë regjistruar në dy javët e para të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, njoftoi Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) të hënën.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media në Prishtinë se procesi është duke shkuar “ashtu siç është planifikuar” dhe “pa sfida madhore”.

“Deri më tani [21 prill] janë regjistruar 530.000 persona, si dhe mbi 36 për qind e objekteve në Kosovë. Po flasim për popullsinë rezidente në Kosovë. Stafi është stabilizuar këto ditë, ka filluar intervistat në mënyrë masive”, tha ai.

Kastrati theksoi, po ashtu, se ky proces është duke u zhvilluar në të gjithë terrorin e Kosovës, dhe me të gjitha komunitetet, pavarësisht paralajmërimeve për bojkotimin e procesit nga komuniteti serb.

“Të gjitha zonat janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim. Edhe komuniteti serb është duke marrë pjesë në të gjitha zonat dhe komunat. Jo në masë si në zonat e tjera, por ka filluar një regjistrim sado pak në javën e parë dhe presim që të ketë regjistrim edhe në atë pjesë”, shtoi ai.

Më 5 prill kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Sipas Kastratit, deri më tani katër apo pesë ekonomi familjare kanë refuzuar të regjistrohen.

“Jemi duke vazhduar me procedurat ligjore, dhe të gjithë ata që refuzojnë, do të përcillen sipas ligjeve në fuqi”, theksoi ai.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), shpalosi të dhënat për regjistrimin e diasporës.

“Deri më tani kemi 180.000 mijë pjesëtarë të diasporës që janë regjistruar në kuadër të procesit, mbi 50 mijë janë regjistruar në platformën E-diaspora, prandaj u bëj thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen”, theksoi ajo.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë, në Kosovë jetojnë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë ka nisur nga data 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj.

Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Ndërsa, vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera./REL