Deri sa dislokimi i deponive ishin premtim i partive në pushtet, të njëjtat vazhdojnë që në masë të lartë të jenë evidente në shumë vendbanime duke rrezikuar shëndetin e banorëve, si dhe duke ndotur ajrin në masë të lartë tregon se kjo qeveri nuk e ka mendjen tek populli, por tek xhepi i tyre.
Aleanca për Shqiptarët nuk është kundër asnjë mase që ndihmon uljen e ndotjes së ajrit, por vlerësojmë se në raste si këto në të cilat vendi jonë gjendet, ka nevojë për masa prioritare dhe urgjente që tregojnë rezultate më të shpejta edhe efikase, se sa ato që më shumë bëjnë bujë dhe duhet një afat më i gjatë kohor për arritje të rezultateve.
Është më se e turpshme të flitet për mjedis jetësor të përafërt me vendet e Bashkimit Evropian, kur në vend kemi më shumë se 2000 deponi të egra në vendbanime me numër të madh të banorëve të cilëve çdo dit u rrezikohet shëndeti. Përpos tyre, edhe ato deponi komunale që janë nuk i plotësojnë kushtet elementare për punë.
Kujtojmë se, ish ministri SadullaDuraku i BDI-së me vite të tëra ka premtuar zgjidhje për deponitë e egra, por që asnjëherë nuk i realizoi premtimet e dhëna. Ndërkaq, kujtojmë edhe ministrin aktual të mjedisit, Naser Nuredini se deponitë duan zgjidhje urgjente, e jo prolongim me deklarata boshe.
Qytetarët paguajnë taksa për mjedisin jetësor, shuma e të cilave as vet shteti nuk e di se ku përfundon. Edhe pse për këtë çështje qeveria pati premtuar edhe Fond për Mjedisin Jetësor, asgjë konkrete për mjedisin ku jetojmë ende nuk është ndërmarrë, dhe qytetarët vazhdojnë të thithin ajër që seriozisht dëmton shëndetin e tyre.
Aleanca për Shqiptarët