ASH: Termocentrali në Osllome vazhdon të helmojë banorët e Kërçovës (VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët, dega në Kërçovë ka akuzuar pushtetin se përmes politikave të gabushme po rrezikon jetën e qytetarëve. Në një konferencë për media, përfaqësuesit e ASH-së thanë se, termocentrali në Osllome vazhdon të helmojë banorët e Kërçovës, për shkak të neglizhencës së institucioneve që ende as nuk mendojnë të vendosin filtra, përcjell gazeta LAJM.

“E gjithë bota po përcjellë një pandemi, ndërsa Kërçova si edhe në të kaluarën, por edhe sot po rrezikohet për çdo ditë nga mundësia për epidemi të reja vdekjeprurëse nga politikat e gabuara të pushteteve të njëpasnjëshme të BDI herë në bashkëqeverisje me VMRO e herë me LSDM.
Termocentrali në Osllome vazhdon të helmojë banorët e Kërçovës, për shkak të neglizhencës së institucioneve që ende as nuk mendojnë të vendosin filtra. Përveç kësaj, hapësira në rrethinën e elektranës shpesh herë shndërrohet në deponi ilegale që kundërmon gjithë rajonin dhe bëhet çerdhe e rreziqeve të ndryshme për shëndetin e banorëve të Kërçovës.
Ju bëjmë thirrje zyrtarëve aktual që të kthejnë sytë kah Kërçova, të cilën ditëve të fundit e përmendin në vazhdimësi për përfitime partiake afatshkurtër. Kërçova dhe kërçovarët meritojnë më shumë, por sot janë në një gjendje që ju rrezikohen edhe kushtet elementare për jetë.
Prandaj, ne si Aleancë për Shqiptarët ngrisim edhe një herë alarmin mbi këtë problematikë si dhe ndaj shumë dukurive të tjera destruktive. Vlerësojmë që përmirësimi i cilësisë së jetës në Kërçovë do të fillojë me përmirësimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve si në nivel lokal ashtu dhe në atë qëndrorë”, tha Abdulla Sejdini – kryetar i degës së Aleancës për Shqiptarët në Kërçovë, gjatë konferencës së sotme me gazetarët.