Aleanca për Shqiptarët (ASH) vlerëson se në RMV nuk mund të mbahen zgjedhje të lira duke qenë BDI-ja pjesë e pushtetit.
“Ne vlerësojmë se nuk mund të ketë zgjedhje të lira me BDI-në në pushtet. Kjo Qeveri, me ciklet e fundit ka dëshmuar se nuk ka kapacitet dhe as gatishmëri për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Nuk mund të flasim për demokraci kur i gjithë shteti vihet në shërbim të partive në pushtet, qytetarët kërcënohen dhe shantazhohen, ndërsa votat blihen dhe vidhen”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Paraditen e sotme, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në një konferencë për media, deklaroi se Qeveria aktuale nuk ka legjitimitetin e qytetarëve andaj edhe kërkoi zgjedhje të reja parlamentare dhe dorëheqje të menjëhershme Zoran Zaevit dhe Qeverisë.