ASH reagon për gjimnazin “Sami Frashëri”! Premtojnë zgjidhje të problemit (Video)

Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar për objektin e gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë. Ata thonë se për 20 vite me radhë është premtuar zgjidhja e këtij problemi, ndërsa gjendja ende vazhdon e njëjtë.

“Në vitin 2004 ky objekt u gjet si zgjidhje e përkohshme për të strehuar nxënësit shqiptarë të cilët prej vitit 2001 ishin larguar nga gjimnazi “Goce Dellçev” për shkak të incidenteve të shumta dhe dhunës ndaj tyre në atë periudhë kohore. Në vitin 2004 ky objekt u quajt si zgjidhje e përkohshme, por si i tillë vazhdon të jetë deri më sot edhe pse nuk i plotëson as kushtet elementare për vijimin e procesit edukativo arsimor. Siç mund ta shihni edhe vetë, objekti ndodhet në rrugë apo bulevardin kryesor që lidh qytetin me autostradën e që është hyrje-dalja kryesore e qytetit të Kumanovës”.

Nga Aleanca për Shqiptarët premtojnë se në momentin që do të jetë pjesë e pushtetit lokal apo qendor, prioritet i parë i marrëveshjes për qeverisje do të jetë pikërisht gjetja e zgjidhjes së këtij problemi dhe ndërtimi i një shkolle të re për gjimnazin shqiptar “Sami Frashëri”.

“Edhe në zgjedhjet e fundit lokale, por edhe në ato parlamentare u premtua se përfundimisht ky problem do të zgjidhet, por ja që asnjëherë nuk u realizuan premtimet dhe as që ka ndonjë iniciativë që të paktën të ishte siguruar trualli ku do të ndërtohej shkolla e re. Të gjitha këto fakte çojnë drejt një konkluzioni se këto parti që kanë qeverisur dhe qeverisin qoftë në nivel lokal apo në atë qendror, nxënësin shqiptar të Kumanovës e duan sa më pak të përgatitur dhe sa më pak të motivuar, gjithnjë duke ia humbur shpresën për të jetuar e vepruar në vendlindje”.