Vetë programi parazgjedhor i VLEN-it Plani 2030 është prova më e fortë e dështimit. Nuk ka nevojë për argumente shtesë për të dëshmuar dështimin e tyre, mjafton të lexohet programi i tyre parazgjedhor. Premtimet e papërmbushura janë kthyer sërish në premtime të reja, në arsyetime, justifikime duke dëshmuar mungesën e rezultateve konkrete dhe heshtjen e tyre, thuhet në kumtesën e Aleancës prë shqiptarët, të cilën MIA e transmeton në formë integrale
Ky koalicion u prezantua para qytetarëve me një varg premtimesh tërheqëse, në planin 2030 si me rritje të përfaqësimit të shqiptarëve në institucione,fuqizimin e gjuhës shqipe, përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, themelim të Akademisë Shqiptare, zona të lira ekonomike në vendbanimet shqiptare, erasmus shqiptar, gjashtë spitale rajonale dhe reformë në shëndetësi.
Premtoi gjithashtu se MPB-ja, ose së paku njëra nga dy drejtoritë kryesore të saj, do të drejtohej nga një shqiptar krahas përfundimit të autostradës Shkup-Bllacë, subvencionimit të bizneseve të mërgimtarëve dhe lehtësirave për blerjen e banesave për çiftet e reja deri në 35 vjeç e kështu me rradhë.Sot 2 vite më pas, asnjë nga këto premtime nuk janë realizuar me përjashtim të ndonjë projekti tek tuk që është në fazë fillestare si autostrada Shkup Bllacë që ende nuk dihet se çfarë epilogu do të marrë.
Edhe më e rëndë është heshtja e VLEN-it përballë procesit të integrimit evropian. Sa ishte në opozitë, ky koalicion ngrinte zërin kundër ngecjes së rrugës evropiane dhe betohej se, po të vinte në pushtet, do ta zhbllokonte menjëherë këtë proces nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Tani, si pjesë e qeverisë, jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret drejt këtyre ndryshimeve, por duket se as nuk e ka në agjendë, ndërkohë që pikërisht ato mbeten kushti kyç për çdo përparim real drejt BE-së.VLEN në qeverisje me VMRO-DPMNE-në ga retorika e fortë e opozitës u shndërrua në pasivitetin total të pushtetit.



