ASH përshëndetë qëndrimet e Mexhitit: Urojmë që fjalët e tij të mos jenë lojë dhe ai të largohet nga BDI-ja

Partia opotitare “Aleanca për Shqiptarët”, përmes një komunikate me shkrim, ka komentuar pohimet e fundit të deputetit të BDI-së, Izet Mexhiti, ndaj bashkëpartiakëve të tij integristë, ku ndër të tjera nga ministrat e BDI-së kërkoi që të ndalojnë së fotografuari dhe të merren me punë!

Nga partia e Ziadin Selës thonë se nuk përbën ndonjë risi që BDI është rekordere e mashtrimit, sepse siç shtojnë, “në 18 vite të qeverisjes dhe në gjashtë qeveri të ndryshme s’ka realizuar kurrë ndonjë premtim brenda 100 ditëshit të parë edhe kjo s’është risi”! Risia, sipas partisë opozitare shqiptare, është që “më në fund nënkryetari i saj pranoi të gjitha ato gjëra të cilat Aleanca për Shqiptarët i tha në 100 ditëshin e qeverisjes”.

“Urojmë që të mos jetë lojë dhe z. Mexhiti ta bëjë zgjidhjen e tij, a do të vazhdojë akoma të jetë në anën e rrenës dhe të mashtrimit që udhëhiqet nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, apo fjalët e thëna do t’i shndërroje në veprime konkrete dhe në ditët në vazhdim do të dëgjojmë edhe largimin e tij përfundimtar nga BDI?”, shkruhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët./TV21