ASH: Për ndërmarrjet nga Ohri 12 herë më shumë para pa kamatë se për Strugën

Ilire Dauti nga Departamenti ekonomik i Aleancës për Shqiptarët në konferencën e sotme për shtyp theksoi se për ndërmarrjet nga Ohri ka 12 herë më shumë para pa kamatë se për Strugën.

“Si duket as koha e pandemisë botërore nuk i mjaftoi Qeverisë së RMV, për të hequr dorë nga vese të vjetra e të reja mbi diskriminimin rajonal apo të qyteteve të banuara kryesisht me shqiptar. Pra, nuk mjafton të jesh qytet i bukur sa të tjerët apo të jesh i goditur nga kriza po ashtu sa të tjerët për t’u trajtuar njëjtë nga kompetentët. Objekt i diskrepancës kësaj radhe, si jo rrallë herë ishte qyteti i Strugës”, theksoi Dauti, njofton news33.

Në këtë drejtim, shtoi ajo, nga masat Covid1 dhe Covid2 me të cilat ishte paraparë që 13,7 milion euro nëpërmjet Bankës për Zhvillim, t’ju jepen pa normë interesi ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, që janë të goditura nga kriza shëndetësore –ekonomike e shkaktuar nga Covid19 , në të dhënat e para të publikuara nga Banka për Zhvillim e RMV-së për Covid1 me çrast janë shpërndarë 4 milion eurot e para, vërehet diskrepancë e madhe ndërmjet qyteteve të ndryshme madje edhe në mes Strugës dhe Ohrit edhe pse të dy janë qytete turistike dhe kriza i ka dëmtuar njëjtë.

“Kështu për ndërmarrjet e goditura nga kriza nga qyteti i Strugës janë paguar mjete në vlerë prej 24,878 euro ndërsa për ata të Ohrit 298,212euro, që është për 12 herë më shumë se shuma e mjeteve financiare të paguara për ndërmarrjet e qytetit të Strugës”, tha Dauti.

Prandaj, Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje qeverisë e në veçanti ministrit të Ekonomisë nga radhët e BDI-së, që në vend se të shfrytëzoj Strugën për ta propaganduar vetveten, le ta bëj të kundërtën.

“Pra le të shfrytëzoj vetveten si ministër i qeverisë e lë të kujdeset që Struga të merr hisen që i takon nga shpërndarja e mjeteve financiare në mënyrë të barabartë me qytetet e tjera e në këtë rast me qytetin e Ohrit”, tha Dauti.