ASH: Merkos t’i merren kompetencat për arsimin fillor

Aleanca për Shqiptarët në Strugë ka derdhur një sërë akuzash drejt kryetarit të Komunës Ramiz Merko, përcjell TV21. Thonë se problemet në arsimin në Strugë nuk kanë të mbaruar dhe dita-ditës shtohen edhe më shumë. Akuzojnë se arsimi në Strugë është peng i veprimeve keqdashëse dhe kundërligjore të NON GRATA – Ramiz Merkos, i cili, sipas ASH, pa asnjë lloj përgjegjësie emëron dhe shkarkon drejtorë që nuk i plotësojnë kushtet elementare ligjore. Nga ASH kërkojnë që Ministria e Arsimit, Komunës së Strugës t’ia marrë ingerencat në sferën e arsimit fillor, sepse Inspektorati i Arsimit ka konstatuar shkelje ligjore të Kryetarit.

 “Pra në këtë 1 shtator në vigjilje të fillimit të këtij viti shkollor, arsimi në Strugë është me të njëjtat problematika dhe paligjshmëri të konstatuara edhe nga institucione zyrtare. Por e keqja nuk përfundon këtu vetëm në emërimin dhe shkarkimet e drejtorëve nëpërmjet rrjeteve sociale si Facebook, për fat të keq arsimi në Strugë është shndërruar në zyrën e punësimit dhe shërimit të komplekseve të “TREKËNDËSHIT TË BERMUDES” – pra Komuna, Universiteti, Ministria, të cilët pa respektuar asnjë kriter profesional e ligjor punësojnë në shkollat e Strugës të diplomuarit e Universitetit të tyre të famshëm, i cili tashmë është i njohur për prodhimin e diplomave jo të dijes”, tha Lulzim Nasufi, kryetar i degës së ASH-së në Strugë.