Aleanca për Shqiptarët është partia e vetme që është solidarizuar me zëvendëskryeministrin Artan Grubi, pasi këtij të fundit i dogjën veturën mëngjesin e sotëm para banesës së tij në Çair.
Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ende nuk ka bërë asnjë reagim për djegien e veturës për zyrtarin e tyre më të lartë në ekzekutiv, zv.kryeministrin Artan Grubi.
“Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër aktin vandal dhe të patolerueshëm të djegies së veturës së zëvendës kryeministrit, Artan Grubi. Veprimet e këtilla huliganeske janë të patolerueshme në një vend dhe shoqëri demokratike. Ju bëjmë thirje autoriteteve të rendit që sa më shpejtë të zbardhin rastin dhe të zbulojnë autorët.
Përtej dallimeve dhe mospajtimeve politike, të gjitha subjektet dhe institucionet duhet të dënojnë aktet e këtilla, ndërsa rendi dhe siguria duhet të garantohen për çdo qytetarë.
Kërcënimet dhe sulmet e këtilla vandale paraqesin rrezik për gjithë shoqërinë dhe si të tilla duhet të dënohen dhe luftohen nga të gjithë, pa dallim.”- thuhet në reagimin e ASH-së.
Paraprakisht gjatë ditës, për djegien e veturës së Grubit, kanë reaguar ministrat e BDI-së, deputetët dhe funksionarë tjerë të kësaj partie, por reagim zyrtar nga BDI-ja akoma nuk ka.
Zëdhënësi i BDI-së dhe ministër i Punëve të jashtme, Bujar Osmani përmes një reagimi në Facebook thotë se vetura është e Artan Grubit ndërsa djegien e saj e quajti si akt të urryer dhune. Për djegien e veturës kanë reaguar edhe funksionarët të tjerë të BDI-së, ndërsa deputeti Arbër Ademi e ka cilësuar si tentativë për sulm ndaj Artan Grubit.
Nga MPB-ja thanë se kanë marrë njoftim për djegien e një veture e cila nuk ka qenë në pronësi të zv/kryeministrit, por të një personi tjetër me inicialet B.L 35 vjeç.
“Sot (22.07.2023) në SPB Shkup është njoftuar se rreth orës 03.30 në rr. “Strumiçka” është shkaktuar zjarr në një automobil “Audi” me targa të Shkupit, pronë dhe e parkuar nga B.L. (35) nga Shkupi. Zjarri është shuar, persona të lënduar nuk ka, ndërsa ekspertizë është bërë nga ekipet e SPB-së në Shkup”, njoftojnë nga MPB-ja.






