ASH e Selës: MASH ndan bursa vetëm për gjuhën maqedonase, anashkalohen studimet për gjuhën shqipe

Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela ka reaguar se Ministria e Arsimit dhe Shkencave po ndan bursa vetëm për studentët e Katedrës për studim të Gjuhës Maqedonase, ndërsa anashkalohen studimet për Gjuhën Shqipe, njofton Portalb.mk.

“Ministria për Arsim dhe Shkencë ka shpallur një thirrje diskriminuese që favorizon vetëm studentët e Katedrës së Gjuhës Maqedonase. Në një njoftim lëshuar në të gjithë universitetet publike dhe private, madje edhe në Universitetin e Tetovës, MASH njofton se do të ndajë 15 bursa për studentë që do të regjistrohen në vitin e parë në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Maqedonase. Bursa të tilla nuk janë parapa për gjuhën shqipe, dhe për këtë nuk është dhënë asnjë sqarim”, thuhet në reagimin e ASH-së.

ASH e Selës e vlerëson si diskriminues dhe racist këtë vendim dhe kërkojnë tërheqjen dhe korrigjimin e të njëjtit.

“Nëse MASH duhet të mbështet studimet e gjuhëve, kjo duhet të vlejë për të gjitha gjuhët dhe etnitë dhe jo ekskluzivisht vetëm për gjuhën maqedonase. Ky njoftim dëshmon edhe një herë qasjen e Qeverisë kundër gjuhës shqipe që ka filluar shumë më herët me tendencat për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe si dhe me vetë iniciativën e Gjykatës Kushtetuese për abrogimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.