ASH-AAA: Pushteti bën fushatë të errët me shpifje dhe gjuhë të urrejtjes

Të nderuara media të nderuar qytetar!

Sot, vetëm dy ditë para përfundimit të fushatës, partitë në pushtet në mungesë të sukseseve, në mungesë të projekteve konkrete dhe në frikë nga humbja e zgjedhjeve, filluan fushatën e errët dhe negative ndaj opozitës. Në Tetovë, Gostivar, Çair, Saraj dhe komunat e tjera janë shpërndarë pamflete me shpifje të ulëta, gjuhë të urrejtjes dhe fyerje ndëretnike. Rasti është denoncuar në polici dhe misionin e OSBE-ODIHR dhe kërkojmë publikisht nga organet e rendit, ti zbulojë autorët e kësaj propagande. Këto veprime të regjimit hibrid LSDM-BDI nuk do të ndalin vullnetin e qytetarëve për ndryshim, por vetëm se demaskojnë retorikën e tyre për bashkëjetesë, shtet për të gjithë dhe mashtrime të ngjashme. Sot e treguat fytyrën e vërtetë. Se kush qëndron prapa këtyre pamfleteve e tregon më së miri përmbajtja e të njëjtave, të cilat janë të ngjashme me deklaratat e kryeministrit Zaev dhe eksponentëve të BDI-së. Ju bëjmë thirje simpatizantëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës që të mos bien pre e provokimeve të këtilla. Veprime të ngjashme kemi parë edhe në disa raste në të kaluarën dhe janë tipike për partitë në panikë, në prag të humbjes së pushtetit. Duke i njohur si funksionojnë, presim që me fabrikime të ngjashme të vazhdojnë deri në momentin e fundit, por sigurojmë opinionin dhe autorët se nuk do të kalojnë pa u sanksionuar fillimisht nga qytetarët përmes votës e më pas edhe me ligj.

Flakron Bexheti
Zëdhënës i ASH