Duke folur për 20% në Kushtetutë, Asani në intervistë për Alsat thotë se në Maqedoni nuk ka ligj për gjuhën shqipe. Ai shton më tej se, pas vitit 2001 ka pasur dy ndryshime kushtetuese dhe atëherë është prezantuar si zgjidhje e mirë, por siç shton ai, tani po dalin ne pah lëshimet.
“Nuk kemi ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, se gjuha shqipe duhet në çdo institucion, e kështu me radhë, domethënë pastër si gjuhë shqipe. Ne e kemi të inkorporuar gjuhën shqipe si 20 përqindësh, në ligjin për përdorimin e gjuhëve. Dhe kjo është kështu, unë nuk di si ta lexoj në mënyrë tjetër. Për hir të së vërtetës, unë e kam edhe ligjin për përdorimin e gjuhëve para vetes dhe aty në nenin 1, alineja 2 thuhet, ‘gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 % e qytetarëve ( gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj. Ndërsa neni 1 thotë, ‘në tërë territorin e RMV-së dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik’. Kjo pastër i tregon kufijtë”- deklaroi Asani.



