Arsim i politizuar apo politikë e paarsimuar?! Kjo është çështja…

Shkruan: Arbër Çeliku

Se arsimi në hapësirën tonë të jetesës është katandisur si mos më keq, këtë e di tashmë gjithkush dhe nuk paraqet asnjë risi në debatin publik. Po ashtu, gjithkush e di se ky ishte një proces sistematik, i politizuar skajshmërisht (për përfitimin e votës), i jetësuar nga të gjithë ne, pa e vrarë mendjen për pasojat e së ardhmes dhe, si rrjedhojë, jemi këtu ku jemi.

Po ku do të mbërrijmë kështu se?!

Nxënësit po pakësohen, mësuesit po shtohen dhe kemi mbërritur në një pikë në disa vendbanime: 10 mësues për 1 nxënës. Për cilësinë nuk ma do mendja të flas, sepse dihet. Po qëndroj te forma (ashtu siç politika e mbruajti dhe e imponoi sistematikisht këto dekadat e fundit dhe na e shiti neve si arritje të shekullit).

Deshëm formë, formë na dhanë.

Deshëm gënjeshtra, gënjeshtra na dhanë.

Deshëm hiç, hiç na dhanë.

Pra, kur nuk shfaq dinjitet për veten, askush tjetër nuk të fal dinjitet.
Për të fituar si mësues, u dashka të punohet më shumë, ishte porosia e një politikani veteran shqiptar këto ditë, që nënkupton se mësuesi qenka individ kotnasnikoti, lypsar dhe pa dinjitet. Kështu flet vetëm padroni ndaj të nënshtruarit, ku ta dish, mbase u jep mesazh atyre mësuesve që janë punësuar përmes tij në arsim.
Sido që të jetë, mësues partiakë apo jo, jetesa e tyre është për të të ardhur keq, paga e tyre për faqe të zezë, kredi deri në fyt, sofrat bosh, fëmijët të veshur keq (përjashtuar ata që nga politika janë rehatuar në arsim dhe atë e kanë hobi).
Dhe, trysnia politike (e intensifikuar këto ditë: mësuesit nuk do të kenë paga) a thua po e arrin (ose do ta arrijë) efektin e synuar: ta trembë rishtas mësuesin?!
Edhe politika duhet ta kuptojë se dikush, që s’ka ç’të humbë më, nuk do t’ia dijë as për kërcënim, as për shantazh dhe as për asgjë. Mësuesi shqiptar sot është buzë greminës, ai lufton për jetë a vdekje, rroga atij nuk i mjafton as për t’ua mbushur barkun fëmijëve me bukë.
Vërtet politika një pjese dërrmuese mund t’ua ketë dhënë vendet e punës (diplomat jo se jo), por nuk është etike t’i kushtëzosh ata për këtë. Sepse vota e tyre politikanët i ka bërë sot milionerë dhe të jetojnë në bollëk. Ta shohësh hollë e hollë, politika u ka borxh kësaj armate mësuesish, jo ata politikës.
Është fakt se arsimi te ne është i politizuar, por as topi nuk e luan se politika jonë është e paarsimuar. Ndryshe do ta kuptonte, të paktën, nocionin dinjitet, hall, skamje, regres, …