Ministria e Brendshme njofton se ka arrestuar personin që dhunshëm ka hyrë në redaksinë e Infomaks, ndërkaq shtojnë se është konstatuar se personi në fjalë ka pasur probleme me shëndetin mendor. Nga MPB thonë se do të vazhdojë të sanksionojë shpejt dhe pa dallim të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe shkeljeve të tjera të rendit publik.
“Zyrtarët policorë nga Stacioni i Policisë Kisella Vodë arrestuan G.S. (43) nga Shkupi menjëherë pas denoncimit më 10.12.2025 në orën 23:45 nga A.M., moderator i një emisioni në portalin Infomaks. Ai raportoi në SPB Shkup se një mashkull kishte hyrë në redaksi, gjatë transmetimit live, kishte dëmtuar dy dyer dhe kishte penguar transmetimin e emisionit, ku i ftuar ishte ish-kryetari i komunës S. J., dhe ku ishin të pranishëm edhe moderatori M. N. dhe kameramani. Më pas u konstatua se bëhej fjalë për një person me probleme shëndetësore, i cili më parë kishte qenë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Bardovcit. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër G.S. do të ngritet padi penale përmes procedurës së shpejtë”, thonë nga MPB.




