Një incident i ndjeshëm është regjistruar mëngjesin e sotëm në Pikën Kufitare të Jarinjës, ku njësitet policore kanë ndaluar një automjet të tipit Audi A4, me targa BG1898-FN, që drejtohej nga Nenad Ugrenoviq, me vendbanim në Beograd dhe pjesëtar aktiv i Policisë së Serbisë, transmeton GAZETA PAPIRUS.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, policia ka zbuluar një kuti me 50 fishekë të kalibrit 9×19 mm, të cilat dyshohet se ishin të destinuara për qarkullim të paautorizuar.
Krahas municionit, janë gjetur edhe 9,500 euro dhe 26,000 dinarë serbë. Në vijim të kontrollit janë sekuestruar edhe një fishek i armës së gjatë AK-47, pasaporta serbe, kartela e sindikatës së Policisë së Serbisë, paleta të uniformës policore, një palë doreza dhe një USB flash.
Sipas burimeve nga strukturat e hetimit, pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është dhënë urdhër për arrestimin e menjëhershëm të të dyshuarit, ndërsa njësia e Hetimeve ka marrë përsipër rastin.
Prokurori ka urdhëruar gjithashtu kontroll të detajuar në shtëpinë e tij në fshatin Gorazhdevc – Pejë, për të hetuar mundësinë e posedimit të armëve apo materialeve të tjera të ndaluara.
Hetimet janë në vazhdim dhe pritet që organet kompetente të përcaktojnë nëse mjetet e gjetura kanë pasur destinacion ndonjë veprimtari të organizuar apo ndërlidhje me struktura të tjera të sigurisë jashtë territorit të Kosovës.




