Arrestohet për mashtrime me “mjekë të rremë” dhe aksidente trafiku, i merren mbi 15 mijë euro

Më 07.02.2026, rreth orës 12:30, në Strumicë, zyrtarë policorë nga SPB Strumicë kanë arrestuar O.V. (38) nga Strumica, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të mashtrimit.

Sipas policisë, ai dyshohet se më 06.02. dhe 07.02.2025, në dy raste, ka marrë pjesë në mashtrime ku viktima kanë qenë një grua 84-vjeçare dhe një grua 68-vjeçare nga Strumica, si dhe në një rast ka tentuar të mashtrojë një grua 77-vjeçare.

Në këto raste, një person tjetër i ka telefonuar viktimat në numrat e tyre fiks, duke u prezantuar si mjek, dhe i ka mashtruar se familjarët e tyre (vajza apo nusja) kishin nevojë urgjente për operacion. Pas kësaj, O.V. ka shkuar në lokacionet që i janë dhënë përmes telefonit dhe ka marrë paratë nga viktimat.

Gjatë arrestimit, tek O.V. janë gjetur 15.150 euro dhe 50 franga zvicerane, të cilat dyshohet se i ka përfituar nga këto vepra penale. Ai është ndaluar në Stacionin Policor në Strumicë dhe gjatë bisedës zyrtare ka pranuar mënyrën se si i ka kryer veprat.

Për rastin është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Strumicë, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim penal.

Nga SPB Strumicë apelojnë edhe një herë qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në komunikimin telefonik me persona të panjohur, të mos bien pre e mashtrimeve, të verifikojnë informacionet që u jepen përmes telefonit, të mos dorëzojnë para personave të panjohur dhe çdo rast të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në polici.