Dritan Gjika, shqiptari më i kërkuar nga Ekuadori dhe shumë vende evropiane, është prangosur të hënën në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një operacion të përbashkët policor nga Njësia Kombëtare e Interpolit në Ekuador, në koordinim me homologët e saj në Abu D’habi, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Brendshme e Ekuadorit.
“Përmes punës hetimore dhe shkëmbimit të informacionit nga PAcCTO 2.0, më 26 maj 2025, është arrestuar Dritan Gjika, me qëllim ekstradimi. Për të janë lëshuar dy “Njoftime të Kuqe” nga ana e Interpolit pasi akuzohet për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit.

Akuzat
Dritan Gjika konsiderohet si një prej drejtuesve të mafies së trafikut të drogës mes Kolumbisë, Ekuadorit dhe vendeve të BE-së. Ai hetohet edhe për pastrimin e 31 milionë dollarëve.
Prokuroria ekuadoriane e lidh shqiptarin Dritan Gjika dhe katër persona të tjerë me pastrimin e kësaj shumë të madhe parash.
Së bashku me Gjikën, i përmendur si drejtues i mafies shqiptare që vepronte në vend, janë të lidhur edhe katër persona: Mario S.; Carina E.; Carlos G.; dhe Pablo H.
Shtatë kompani apo persona juridikë janë gjithashtu në process hetimi. Ndaj tyre gjyqtari ka urdhëruar sekuestrim të pasurisë dhe bllokimin e llogarive. Ai ka urdhëruar policinë që ta lokalizojë dhe t’i kapë të akuzuarit, raportuan mediat në Ekuador.
Më 7 shkurt 2024, Policia Kombëtarenë Ekuador, së bashku me Prokurorinë, arrestuan Julio L., Jonnathan L., Bryan L., Javier C. dhe Teresa P. si rezultat i operacionit “Pampa”, i cili u zhvillua në disa qytete të Ekuadorit dhe gjithashtu në Spanjë.
Sipas Prokurorisë, përmes informacioneve konfidenciale u mësua se në Guayas, ndodhej një kompani transporti e dedikuar për transferimin e parave dhe substancave të paligjshme përmes kamionëve.
Për më tepër, në Guayas, Los Ríos, Cotopaxi dhe Santa Elena, vepronte një organizatë kriminale e dedikuar për pastrimin e parave të trafikut të drogës, e drejtuar nga Dritan Gjika dhe qytetarë të tjerë.
Për këtë u krijuan disa kompani të dedikuara për eksportin e produkteve bujqësore (kryesisht banane), blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, prodhimin e mishit dhe kanabisit. Këta shtetas kanë përfituar pasuri të ndryshme si automjete të nivelit të lartë dhe pasuri të paluajtshme si toka, shtëpi, zyra, magazina dhe parkingje në katër provinca të vendit, sipas hetimit tatimor.
/rtsh.al/