Arrestohet Fatmir Sheholli nën dyshimet për spiumazh për Serbinë

Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten ish-drejtorin e Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë, Fatmir Sheholli, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky rast përbën “një nga aktet më të rënda” kundër rendit kushtetues të Kosovës.

“Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”.