Arrestohet drejtuesi i Kolegjit të Europës, në hetimin e EPPO-s për mashtrim me fondet e BE-së

Prokuroria Publike Evropiane (EPPO) ka ndaluar sot tre persona gjatë një operacioni të koordinuar me policinë belge, si pjesë e një hetimi të gjerë mbi dyshimet për mashtrim dhe parregullsi në tenderët e Bashkimit Europian. Mes të ndaluarve është edhe Cesare Zegretti, bashkë-drejtor i Zyrës së Trajnimeve, Edukimit dhe Projekteve Ekzekutive në Kolegjin e Europës.

Operacioni u zhvillua paraditen e së martës në Bruksel dhe Brugge, ku hetuesit bastisën ambientet e Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS) dhe të Kolegjit të Europës, duke sekuestruar dokumente dhe materiale të tjera të nevojshme për hetimin.

Sipas EPPO-s, çështja lidhet me tenderin për krijimin e një “Akademie Diplomatike të BE-së”, një program trajnimi për personelin diplomatik europian për periudhën 2021–2022. Hetuesit dyshojnë se persona të përfshirë në procesin e tenderimit kanë pasur akses të parakohshëm në informacion konfidencial, duke ndikuar në mënyrë të paligjshme rezultatin e procedurës.

Autoritetet po hetojnë veprat penale të mundshme: mashtrim me fondet e BE-së, parregullsi në tenderë, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

Hetimi është ende në fazë paraprake dhe EPPO nuk ka dorëzuar akuza zyrtare.

Cesare Zegretti, me shtetësi italiane dhe belge, është pjesë e Kolegjit të Europës  dhe nga viti 2022 mban postin e bashkë-drejtorit të një prej zyrave kryesore të institucionit, specializuar në trajnime ekzekutive dhe projekte ndërkombëtare.

Kolegji i Europës nuk ka dhënë ende një deklaratë të plotë mbi arrestimin e Zegrettit, por burime të brendshme bëjnë të ditur se institucioni po bashkëpunon me autoritetet dhe po pret rezultatet e hetimit përpara marrjes së çdo mase administrative.

EPPO ndërkohë ka njoftuar se hetimet do të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërsa pritet që gjykata belge të vendosë nëse të ndaluarit do të mbahen në paraburgim apo do të lirohen me kushte.

 

© SYRI.net