Një person është vënë në pranga mesditën e djeshme në aeroportin “Shën Apostull Pali” në Ohër, pasi gjatë kontrollit të sigurisë i janë gjetur municione luftarake.
Ngjarja ka ndodhur më datë 20.03.2026, rreth orës 11:26, në dalje të shtetit. Zyrtarët policorë kanë ndaluar shtetasin me iniciale A.B. (66 vjeç) nga fshati Zagraçan i Strugës.
Gjatë kontrollit rutinë të bagazhit, policia kufitare ka zbuluar dhe sekuestruar dy plumba (fishekë), të cilët ishin të fshehur në çantën e dorës së 66-vjeçarit.
Policia njofton se personi është shoqëruar menjëherë në stacion dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës penal për mbajtje të paligjshme të municioneve.






