Arrestohet 36 vjeçari në Durrës, ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale

Një person me inicialet F.B është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.

Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se ndaj 36-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale”.

“Si rezultat, në qytetin e Durrësit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi F. B., alias B. B., 36 vjeç, banues në Durrës”, thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur në njoftim ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale”.

Sipas legjislacionit penal italian, kjo vepër parashikon dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.

Vijon bashkëpunimi ndërinstitucional për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 36-vjeçarit drejt autoriteteve italiane.