Arrestohen pesë anëtarë të familjes Fazliu, blenin ar më në Maqedoni, i shitnin në Kosovë (Emrat)

Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj 20 personave për importim të jashtëligjshëm të armëve nga Maqedonia e Veriut.

Pesë anëtarët e familjes Fazliu, Alberti, Përparimi, Arbeni, Petriti dhe Gazmendi e kanë pasur një biznes më pak të zakonshëm në Kosovë.

Të njëjtin madje e zhvillonin në një punëtori brenda oborrit të tyre.

Krejt burrat e familjes që vijnë nga lagjja “Kodra e Trimave” në Prishtinë, bënin modifikimin e armëve – nga armët me gaz në lloje të tjera të armëve – të cilat më pas i shitnin, shkruan Insajderi.

Armët deri tek shtëpia e tyre arrinin nga Maqedonia e Veriut, përmes rrugëve ilegale, do të thotë në mënyrë të krejt të jashtëligjshme.

Alberti, Përparimi, Arbeni, Petriti dhe Gazmendi që nga dhjetori i 2019-ës akuzohen për “pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal lidhur me veprën penale import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse”.

Aktakuza është ngritur nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës, shkruan Insajderi.

Në të përpos pesë anëtarëve të familjes Fazliu janë të përfshirë edhe 15 persona të tjerë: Advan Sopa, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, Petrit Morina, Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Edon Bytyqi, Kreshnik Demaku, Besim Javori, Sami Kelmendi.

Të pandehurit ishin kapur në flagrancë më 24 korrik 2019 nga Policia e Kosovës. Hetimet ndaj tyre kishin filluar nga fundi i 2018-ës, nën masa të fshehta teknike.

Por si kishin bashkëvepruar të akuzuarit ndërmjet vete?

Gazeta Insajderi ka siguruar aktakuzën në të cilën shpjegohet në detaje rruga që kanë bërë 20 personat e përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Të njëjtit importimin, modifikimin e armëve dhe shitjen e tyre e kanë bërë që nga fillimi i vitit 2018 deri në mesin e vitit 2019 – veprime këto që i kanë bërë në Ferizaj, Prishtinë dhe në vende të tjera të Kosovës.

“Të gjithë të pandehurit duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal dhe si bashkim i strukturuar, me dashje dhe me dijeni e me qëllim që ky grup të kryej vepra penal që janë të dënueshme me burgim, së paku 4 vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë krimininale të grupit duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import të kundërligjshëm të armëve”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Insajderi.

“Të pandehurit e lartcekur me qëllim që vetes apo personi tjetër t’i mundësojë përfitime financiare të kundërligjshme duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Armëve ashtu që në mënyrë të paautorizuar të importojnë armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm…, kanë kontribuar në këtë aktivitet kriminal”.

Sipas aktakuzës i pandehuri Kimran Ibishev në rolin e furnizuesit nga Maqedonia Veriore u kishte siguruar armë dhe municion të akuzuarve Albert Fazliu dhe Milaim Shabani të cilët kishin porositur armë (revole) me gaz.

Ibishev, armët varësisht nga porosia që kishte i dërgonte nga Maqedonia në Kosovë, kryesisht deri në kufirin e Hanit të Elezit – kufi ky që lidh dy vendet fqinje.

Ato më pas i merrte ndërmjetësuesi tjetër, i akuzuari Avdan Sopa i cili me veturën e tij armët i transportonte për në Ferizaj tek i pandehuri Milaim Shabani dhe për në Prishtinë tek i pandehuri tjetër Albert Fazliu.

Ky i fundit më pas me të tjerët Fazliu më saktë me Përparimin, Arbenin, Petritin, Gazmendin dhe Mentorin në punëtorinë e tyre në Prishtinë bënin modifikimin e armëve – nga armët me gaz në lloje të tjera të tyre – të cilat më pas i shisnin tek Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku , Petrit Mazreku dhe Isa Rexhepi. Këta të fundit më pas armët e importuara kundërligjshëm i shisnin tek persona të tjerë.

Më pas nga zbatimi i masave të fshehta të përgjimit dhe vëzhgimit më 31 maj 2018 është zbatuar urdhër-kontrolli me ç’rast janë gjetur armë në veturën e Avdan Sopa. Hetuesit policorë të njëjtit i janë konfiskuar 10 pistoleta të armëve me gaz të llojit Ecol Special 99.

Në aksionin tjetër të zhvilluar më 24 korrik 2019 gjatë urdhër kontrollit të realizuar në shtëpinë dhe oborrin e familjes Fazliu janë sekuestruar 37 revole, 8 armë gjuetie, 3 armë AK-47, 2 armë gjysmë automatike, 7 armë të gjata, 1 pushkë ajrore, 18 karikator, pjesë të ndryshme të armëve (tyta të revoleve), një sasi e madhe e fishekëve, rreth nëntë mijë copë të kalibrave të ndryshëm, po ashtu, janë sekuestruar të holla rreth 10 mijë euro dhe dy 2 vetura.

Po atë ditë në të njëjtin vend ishin gjetur dhe konfiskuar armë dhe pjesë të armëve të modifikuara, vegla pune për modifikim të atyre armëve, mjete për shenjëzimin e numrave serik të armëve, pjesë metalike të armëve, brusha për pastrim të tyre, ndërsa të groposura nën dhe ishin gjetur pistoleta me gaz të llojit Ecol Jackal Dual cal 9m dhe Zoraki 906-B.