Arrestohen nga Policia, këta janë dy personat që ndërprenë me fishkëllima konferencën e kryetares së Speciales

Administratorja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, ka dhënë detaje rreth të drejtave që posedojnë të akuzuarit e kësaj gjykate.

“Të gjithë personat që janë në paraburgim kanë kontakte të rregullta me familjaret e tyre. Ata mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, njejtë siç kishin marrë pjesë edhe në zgjedhjet e përgjithshme në shkurt të këtij viti”, u shpreh ajo.

Cilido anëtarë i familjes që ka kërkuar të vizitojë ndonjërin nga të akuzuarit i është mundësuar kjo vizitë.

Ajo tha se personat që janë në mbajtje i kanë nga 10 ditë në vit për vizita.

Donlon foli edhe rreth dëshmitarëve të mbrojtur të kësaj gjykate.

“Siguria dhe mirëqenia e dëshmitarëve ka qenë prioritet i yni. Ne do kujdesemi për ta edhe kur janë në Hagë. Mbrojtja e të drejtave të viktimave dhe pjesëmarrja e tyre në gjykim është e drejtë e tyre”, tha ajo.

Donlon tha se në rastin e Sali Mustafës deri tash nëntë persona kanë marrë statusin e viktimave

***

Arrestohen aktivistët e PSD-së që penguan konferencën e kryetares së Speciales

Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistët e Partisë Socialdemokrate(PSD) të cilët penguan konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekatarina Trandafilova me fishkëllima duke e kundërshtuar punën e kësaj gjykate dhe duke thënë që nuk mund të lejojnë të raportojë në heshtje.

Aktivistët janë arrestuar jashtë objektit ku po mbahet konferenca.

Aktivistët poashtu kanë vënë edhe mbishkrimi në veturën e EULEX-it, “Non Grata”.

​Aktivistë të PSD-së ndërprenë përkohësisht konferencën e Trendafilovës

Dy aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë hyrë në konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova me fishkëllima duke e kundërshtuar punën e kësaj gjykate dhe duke thënë që nuk mund të lejojnë të raportojë në heshtje.

Trendafilova reagoi duke thënë se nuk e kuptoi se çfarë kërkuan të dy aktivistët.

“Me vjen keq qe se kuptova çka tha ky djalosh besoj deshi të bëj pyetje por është mirë që dikush të na përkthejë. Po ju qaseni këtij takimi në mënyrë ekocionale, por të jemi të qetë të vazhdojmë pastaj mund të bëni pyetje”, ka thënë Trendafilova.

Ndryshe, Trendafilova dhe administratorja Fidelma Donlon sot po qëndrojnë për vizitë në Prishtinë, ku do të flasin për mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova pritet ta vizitojë edhe Mitrovicën e Veriut.

***

Dy persona me “filikaqa” kanë ndërprerë për disa minuta fjalimin e Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Njëri prej tyre tha se nuk mund ta lejojmë të kaloj në qetësi fjalimi i gjykatëses Trendafilova.

“Kjo është përfaqësuese e një gjykate të padrejtë. Kjo gjykatë po dëshiron ta ndryshojë historikun e luftës së UÇK-së. Gjykatësja ka ardhur të raportoj që të rilegjitmohet kjo gjykatë… krimet kanë ndodhur nga agresori pra nga Serbia dhe nuk mund ta lejojmë që në qetësi e në heshtje të raportohet….”, u shpreh ai.

Me të përfunduar fjalën, të dy djemtë u larguan nga salla.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova u shpreh pastaj se i vie keq që nuk e kuptoi se çfarë tha djaloshi.

“Më vjen keq që nuk flas gjuhën shqipe, dhe nuk e kuptova çfarë tha ky djalosh. Besoj që deshi të bëjë sa pyetje dhe si duket bëri një deklaratë”, tha Trendafilova.

**

Sapo ka filluar konferenca e kryetarës së Speciales, Ekaterina Trendafilova.

Kjo konferencë u ndërpre nga dy djem të cilët me fishkëllima arritën të sjellin zhurëm në konferencë, e kështu duke ndërpre për disa minuta konferencë, shkruan “Bota sot”.

Njëri nga dy djemtë u shpreh që Specialja po pengon lirinë e ish-ushtarëve të UÇK-së.

Mirëpo Trendafilova kërkoi që djali i cili u deklarua të vjen përsëri në sallën e konferencës, në mënyrë që ajo të i përgjigjet pyetjeve të tij./BS

***

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova dhe administratorja Fidelma Donlon sot do të qëndrojnë për vizitë në Prishtinë, ku do të flasin për mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).

“Takimi ndërveprues shënon fillimin e një angazhimi të shtuar të kryetares dhe të administratores në veprimtaritë e komunikimit dhe ndërgjegjësimit të DHSK-së. Duke pasur parasysh rregulloret e shëndetit dhe të sigurisë si rezultat i pandemisë globale Covid-19, kryetarja dhe administratorja po shfrytëzojnë mundësinë e parë për të udhëtuar në Kosovë për t’u takuar me shoqërinë civile dhe të tjerët”, thuhet në njoftim.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova pritet ta vizitojë edhe Mitrovicën e Veriut.

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë. Ajo i heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën janar 1998 deri në dhjetor 2000.

BE-ja në vit ndan rreth 40 milionë euro për punën e Gjykatës Speciale.