Arrestohen 6 persona për “Tregti me fëmijë” në Shkup

Njësia Kombëtare për Luftimin e Kontrabandës me Migrantë dhe Trafikimit me Qenie Njerëzore pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë ka ngritur kallëzim penal ndaj F.A. (63), Gj.K. (57), I.Sh. (35), Xh.Sh. (35), të gjithë nga Shkupi, si dhe ndaj S.J. (35) nga Kumanova dhe I.A. (38) nga Tetova, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale „tregti me fëmijë“.
​Gjatë viteve 2024 dhe 2025, F.A. në bashkëpunim me Gj.K. e kanë kryer veprën përmes birësimit të paligjshëm të një foshnje të sapolindur. Gjegjësisht, F.A., duke shfrytëzuar pozitën e saj si kujdestare fëmijësh, ka vendosur kontakte me çifte bashkëshortore të interesuara. Ndërkaq, Gj.K., sipas marrëveshjes së tyre paraprake, dhe me qëllim të shmangies së procedurës për birësimin e fëmijëve sipas Ligjit për Familjen, ka shfrytëzuar shtatzëninë, si dhe gjendjen e rëndë materiale e sociale të prindërve. Gjegjësisht, për shkak se ata nuk mund të kujdeseshin për fëmijët e tyre të sapolindur, ajo i ka vënë prindërit në lajthitje dhe i ka bindur që, kundrejt një shpërblimi të caktuar monetar dhe përfitimeve të tjera, të realizojnë birësim të paligjshëm të foshnjës së tyre të sapolindur.
​Në këtë mënyrë, ato kanë arritur ta binden S.J., e cila jetonte në bashkëjetesë me bashkëshortin e saj jashtëmartesor I.A., që në këmbim të një ndihme financiare prej 500 eurosh dhe kontrolleve ginekologjike falas, të realizonin birësimin e paligjshëm të foshnjës së tyre të sapolindur. Pas daljes nga spitali, S.J. dhe foshnja e saj janë marrë nga F.A. dhe janë dërguar në shtëpinë e saj, ku kanë arritur të denoncuarit I.Sh. dhe Xh.Sh., të cilët në cilësinë e „birësuesve“ e kanë marrë foshnjën dhe e kanë dërguar në shtëpinë e tyre.
​Lidhur me këtë, më datë 17.10.2025 është lidhur një kontratë huaje prej 500 eurosh midis Xh.Sh. si huadhënës dhe I.A. si huamarrës, të cilat para i janë paguar po atë ditë I.A.-së si dëmshpërblim për birësimin e paligjshëm të foshnjës së tyre. Nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, ndaj personave në fjalë është caktuar masa e arrestit shtëpiak.