“Në Serbi zbulimi i krimeve dënohet vetëm për faktin se viktimat janë shqiptarë”, tha gazetari serb Radomiq Dimiq.
Ky reagim i tij erdhi pas arrestimit në Serbi të serbit që dyshohet se u kishte treguar autoriteteve të Kosovës vendndodhjen e një varri masiv në Zubin Potok, ku besohet se janë varrosur 23 civilë shqiptarë të vrarë gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Dimiq përmes një postimi në Facebook tha se serbi me prejardhje nga Istogu është arrestuar nën akuzën për tradhti, duke e cilësuar këtë si dëshmi se në Serbi zbulimi i krimeve dënohet vetëm për faktin se viktimat janë shqiptarë, transmeton KosovaPress.
“Në Serbi e vërteta vazhdon të jetë e papranueshme në një shoqëri të ndërtuar mbi gënjeshtra dhe mite, e cila funksionon mbi mohimin, mashtrimin dhe fshehjen e kriminelëve dhe krimeve.”
Lexo po ashtuJeta dhe aksionet heroike të Mensur ZyberajtGazetari serb theksoi se shoqëria serbe vazhdon të dominohet nga mohimi i fakteve dhe, pavarësisht provave për krimet e kryera, mbizotëron qëndrimi se “do të mohojmë gjithçka që kemi bërë”.
Dimiq kritikoi gjithashtu faktin se, sipas tij, në vend të pendimit dhe kërkimfaljes për krimet e luftës, Serbia vazhdon të nderojë njësi ushtarake të përfshira në krime.
“Në vend të pendimit dhe kërkimfaljes, Serbia ngre monumente për Brigadën e 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, pjesëtarët e së cilës mbajnë përgjegjësi për vrasjen e rreth 1.400 civilëve në Kosovë. Ky është mesazhi i një politike që nuk tregon interes për përmirësimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e paqes. Kjo është e papranueshme dhe thellësisht e dhimbshme”, shkroi ai ndër të tjera.
Në fund të reagimit, Dimiq ngriti pyetjen nëse Serbia “fle mbi varre masive të shqiptarëve”, duke shtuar se me siguri ka njerëz që dinë vendndodhjen e tyre, por që, sipas tij, frika nga arrestimi ua ka mbyllur gojën.
Ai apeloi Perëndimin që të reagojnë, duke vlerësuar se heshtja ndaj rasteve të tilla vetëm sa pengon zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe përballjen me të kaluarën.
Lexo po ashtuKK i Prishtinës miratoi Kornizën afatmesme buxhetore 2027-2029Në Kosovë vazhdon të kërkohet që Serbia të hapë arkivat dhe të ofrojë informacion për vendndodhjen e të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës, ndërsa zbulimi i çdo lokacioni të ri konsiderohet një hap drejt zbardhjes së fatit të viktimave dhe vënies së drejtësisë.
Kujtojmë se pas zbulimit të disa mbetjeve mortore në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, një varrezë është hasur edhe në Jabukë të kësaj komune.
/Kosovapress/



