Arrestimi i serbit alarmon Beogradin, mediat e Vuçiqit thirrje për luftë, kreu i ushtrisë në deklaratë urgjente

Arrestimi i një serbi në Veri të Kosovës, i cili dyshohet se mori pjesë në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR, ka tërbuar Beogradin. Mediat besnike të Vuçiç kanë shpërthyer në sulme ndaj Albin Kurtit, duke shkuar madje deri te thirrjet për luftë.

Media më pranë qeverisë, “Novosti”, shkruan se arrestimi i tij nuk është gjë tjetër veçse akt lufte.

“Kryeministri i institucioneve të përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, me aksionet e reja të arrestimit të serbëve në Kosovë dhe Metohi, ka konfirmuar se ka vetëm një qëllim, atë që me çdo kusht të provokojë luftë në Kosovë”, shkruan portali.

Më tej bëhet me dije se për shkak të arrestimeve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviç do t’u drejtohet qytetarëve në orën 16:00. Pra duket se Serbia do shtojë provokimet duke tregur forcën ushtarake.

“Kujtojmë se vetëm një ditë pasi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha nga Brukseli se arrestimet arbitrare të serbëve në Kosovë dhe Metohi janë të papranueshme, gjë që më herët e kishte thënë edhe KFOR-i. Kryeministri i institucioneve të përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, e injoron një qëndrim të tillë dhe vazhduan me arrestimin e serbëve”, shkruan media besnike e Vuçiç.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar serb nga Mitrovica e Veriut për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor mbi dyshimet se “është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj”.