Arrestimet e policëve të vegjël që duan të fshehin një krim më të madh

Shkr4uan: Andi Bushati

Tashmë është bërë zakon: sa herë ka një skandal të madh, bëhet therror një peshk i vogël. Kjo ka ndodhur edhe me goditjen e dy ish zv/drejtorëve të policisë së Elbasanit dhe gjashtë vartësve të tyre, që dyshohen se kanë gënjyer për vrasjen politike të prag zgjedhjeve.

Në 21 prill, në qendrën më të kriminalizuar të vendit, një mbështetës i PD-së, ish sambisti Arbër Paplekaj, qëlloi dhe la të vrarë Pjerin Xhuvanin, i cili i printe një grupi të kriminalizuar në ndihmë të Partisë Socialiste, që ishin angazhuar për të blerë vota në lagjen 5 maji në Elbasan.

Menjëherë, sapo krimi ndodhi, e gjithë propaganda e pushtetit u fokusua tek manipulimi i opinionit me slloganet e një opozite të dhunshme, me rikthimin e tropojanëve të Berishës, me ringjalljen e hijeve të ‘97.

Në fakt, historia ishte shumë më e komplikuar sesa kaq. Pasi në gjenezë të ngjarjes pati qenë kapja e një grupi kriminal, që kishte në përbërje trafikantë droge, të dënuar në Britani, të cilët jepnin para dhe u merrnin peng qytetarëve kartat e identitetit, në shkëmbin të një vote për Edi Ramën dhe Taulant Ballën.

Por, e gjithë makineria e pushtetit u vu në lëvizje për ta lënë në hije këtë fakt. Kështu ish drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu, gënjeu publikisht me zë dhe me figurë duke thënë se në vendngjarje nuk u gjetën fakte që kishin lidhje me zgjedhjet. Edhe prokurori i Elbasanit që po hetonte çështjen, Alfred Shehu, bëri të njëtën gjë duke e shmangur vëmendjen nga fakti se krimi kishte në zanafillë vjedhjen e votës (video poshte).

Të njëjtat mashtrime riprodhuan edhe dy ish drejtuesit dhe gjashtë policët që akuzohen sot.

Kur grupet u përplasën me armë, ata qenë aty, por deponuan se nuk kishin parë gjë, madje fshehën dhe faktin se një nga banditët e PS-së, i kishte vënë armën në kokë nëndrejtorit të policisë, Nikollaq Palla. Vetëm pamjet filmike të ngjarjes vërtetuan më pas, se uniformat blu kishin bërë dëshmi të rreme, madje se ata kishin parë të gjitha veprimet dhe personazhet që blenin vota në favor të PS-së.

Por ashtu si eprori i tyre në Tiranë, po ashtu si prokurori i çështjes, ata manipuluan provat, sepse, as disa ditë para dhe as disa ditë pas zgjedhjeve, imazhi i fitores së Edi Ramës nuk duhej cënuar.

Në këtë kuptim, episodi i 8 policëve që bënë dëshmi të gënjeshtërt është vetëm një grimcë në sagën e madhe të manipulimit që u mundua të fshehë me çdo kusht se rezultati i Elbasanit u vendos nga bandat.

Po ta kthejmë filmin pas, në fushatën e vitit 2021, do të kujtojmë se bandat e PS-së rahën e dhunuan brutalisht në publik militantët e opozitës në festën e ditës së verës. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, shefi i fushatës së PD-së, Gaz Bardhi, denoncoi në SPAK elementët kriminalë që mazhoranca po përdorte si paramilitarë në zgjedhje. Prokuroria e Posatçme, ashtu siç di ta bëjë vetëm ajo, e sorrollati në mënyrë të qëllimshme për më shumë se një javë denoncimin e opozitës. Pasi e mbajti për kaq kohë në sirtar, ajo e transferoi, njësoj si me dosjen e krimit elektoral të Dibrës, në prokurorinë e Elbasanit. Prokuroria e rrethit, e drejtuar nga vëllai i një deputeti socialist, vonoi plot katër ditë vetëm për ta protokolluar dosjen. Dhe më qesharakja: ajo i çoi fletëthirrje për ta pyetur Gazmend Bardhin në 30 prill, pra 5 ditë mbas zgjedhjeve, kur gjithçka kishte përfunduar.

Pra, u pa qartë se, as policia, që linte qëllimisht të lirë personazhe me precedentë penale që kishin rrahur para kamerave militantë të opozitës dhe as prokuroria, që bënte ping pong duke sorollatur procedimin e blerësve të votës, nuk kishin ndërmend të bënin detyrën.

Në këto rrethana, opozitës nuk i mbetej rrugë tjetër veçse të faktonte me prova konkrete masakrën që po ndodhte, ditën për diell, nën hundën e shtetit.

Kur ish sambisti Arbër Paplekaj dhe grupi i tij, i kapën hajdutët e votës, ata nuk u konfrontuan fizikisht. Ata njoftuan menjëherë policinë. Ata pretendojnë se vetëm pasi uniformat blu mbërritën në vendngjarje, në lagjen “5 maji”, grupi kriminal i vjedhjes së votave qëlloi i pari për të mos u kapur me presh në duar. Fakti është se mbështetësit e PS ikën në drejtim të paditur, ndërsa ata të opozitës iu dorëzuan shtetit.

Dhe këtu filloi zinxhiri i manipulimit. Ndonëse të gjithë dëshmitarët pretendonin se grupi i mbrojtur prej Taulant Ballës kishte para, lista zgjedhësish dhe karta identiteti në makinat ku po kryenin blerjen e votës, ish drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu, gënjeu hapur publikisht duke thënë se në vendngjarje nuk ishin gjetur prova për krimin elektoral. Siç do të rezultonte më pas, në një investigim të BIRN, në vendngjarje kishte blloqe pagesash, pashaporta dhe karta ID të qytetarëve.

Më pas gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, e cila ndoqi procesin e kësaj tragjedie, nxori dëshminë e prokurorit se provat që kishte fshehur Ardi Veliu ekzistonin.

Pra versioni për të cilin gënjeu aq trashë Ardi Veliu në fakt ishte i vërtetë. Po aq i vërtetë ishte dhe fakti tjetër se vartësit e tij në Elbasan, i njihnin me fytyrë dhe emër banditët që blenin vota për PS-në dhe që qëlluan me armë në mes të qytetit, por ata preferuan të japin dëshmi të rreme.

Tani janë vetëm këta të fundit, që rrezikojnë të dënohen sepse ashtu sikurse ndodh me çdo skandal, përgjegjësia në fund mbetet mbi cironkat. Por, sa do që makineria e pushtetit po reket ta përshkruajë ngjarjen e Elbasanit si një mëkat të disa policve lokalë është e vështirë që ky manipulim të kapërdihet lehtësisht.

Askush nuk mund ta besojë se nga kreu i përgjithshëm i policisë e deri tek vartësi i tij i thjeshtë, të gjithë gënjyen pa pasur një sinjal nga lart.

Në fakt, ata thjeshtë zbatuan urdhërin. Dhe natyrisht për këtë morën shpërblimin. Ardi Veliu u largua nga policia dhe u emërua zëvendës ministër. Prokurori Alfred Shehu bëri hapa përpara në karrierrë duke zënë një vend në SPAK. Jo më kot, kur ende gjithçka ishte e freskët, Edi Rama lëshoi thirrjen nga stadiumi: “Pas Elbasanit, jam edhe më krenar për ju”. Jo më kot në 25 prill, Taulant Balla rezultoi socialisti më i votuar me 21 600 vota.

Skema funksionoi. Prandaj banditët që e realizuan atë vazhdojnë të mbrohen.