Arratisja e të burgosurit në Shkup/Paraburgim për 3 policë, njëri nën masa kujdesi

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore Penale ka shqiptuar masën e paraburgimit ndaj tre policëve të cilët dyshohet se janë të përfshirë në arratisjen e të burgosurit Bekim Mehmeti, përcjell TV21. Nga Prokuroria bëjnë të ditur se të dyshuarit të katërt i është caktuar masa e kujdesit.

“Prokurori në fjalë i ka sugjeruar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup që tre të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit, ndërsa ndaj të katërtit masa sigurie. Gjyqtari e pranoi propozimin e prokurorisë dhe i caktoi të dyshuarve masën paraburgimit në kohëzgjatje prej 8 ditësh, ndërsa të dyshuarit të katërt i është caktuar masa e kujdesit, ndalim për dalje nga vendbanimi dhe konfiskim i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit apo dokumentit tjetër për kalim të kufirit shtetëror”, thonë nga Prokuroria.