Aro Muric gjobitet rëndë për dy shkelje në trafik

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric është gjobitur me më shumë se 23,000 funte apo 27,547 euro pasi pranoi dy shkelje të rregullave të trafikut.

26-vjeçari i cili luan për Ipswich Town, u akuzua për ngasje pa sigurim të palës së tretë në një Bentley Bentayga në rrugën Saint Margaret në qytet.

Ai është akuzuar edhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Sipas BBC Sport, Muric, u deklarua fajtor për shkeljet dhe u gjobit me 21,412 funte (25,645 euro) dhe iu hoqën gjashtë pikë në licencën e tij për shkeljen e sigurimit në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën e Magjistraturës së Suffolk.

 

 

Megjithatë, nuk kishte një dënim të veçantë për drejtimin e automjetit duke përdorur celularin.

Veprat penale thuhet se kanë ndodhur në gusht të vitit të kaluar.

Muricit iu dha gjithashtu një dënim shtesë prej 2,000 funtesh (2395 euro) për viktimën, si dhe një gjobë prej 110 funtesh (131 euro) për paushallin gjyqësor.

Lojtari u nënshkrua nga Ipswich Town nga Burnley vitin e kaluar në një marrëveshje me vlerë deri në 15 milionë funte.

Ai fillimisht e filloi karrierën e tij të lartë në Manchester City dhe gjithashtu luan rregullisht me ekipin kombëtar të Kosovës.