Ar, orë të shtrenjta dhe çanta “Hermès”, “Louis Vuitton” dhe “Dior” gjenden gjatë bastisjeve.

Kallëzim penal ndaj drejtoreshës dhe shefes së Lotarisë Shtetërore për përvetësim të 1.3 milionë eurove

A.N., drejtoreshë e Sektorit për Financa dhe Kontabilitet, dhe D.D., shefe e çështjeve financiare, janë kallëzuar penalisht nën dyshimin se kanë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme 79.989.444 denarë, ndërsa gjatë bastisjeve janë sekuestruar ar, bizhuteri, ora të shtrenjta dhe çanta të markave botërore.

Dy zyrtare të Lotarisë Shtetërore janë kallëzuar penalisht nën dyshimin se kanë përvetësuar afro 1.3 milionë euro. Gjatë bastisjeve të lidhura me hetimin janë gjetur ar, bizhuteri, produkte “Swarovski”, ora të shtrenjta dhe çanta të markave “Hermès”, “Louis Vuitton” dhe “Dior”.

Administrata e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup ndaj A.N., drejtoreshë e Sektorit për Financa dhe Kontabilitet në Lotarinë Shtetërore, dhe D.D., shefe e çështjeve financiare, për dyshime për përvetësim në detyrë dhe falsifikim ose shkatërrim të librave afaristë.

Sipas kallëzimit, gjatë vitit 2024, dy zyrtaret nuk kanë derdhur në llogaritë e Lotarisë të gjithë qarkullimin ditor nga pikat e tyre të shitjes, në vlerë prej 46.038.720 denarësh, ndërsa nga llogaritë bankare të kompanisë janë tërhequr edhe 33.950.724 denarë.

Në total bëhet fjalë për 79.989.444 denarë, ose rreth 1.3 milionë euro, për të cilat Policia Financiare dyshon se janë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar Lotarisë Shtetërore dëm prej afro 80 milionë denarësh.

Hetuesit dyshojnë se dy zyrtaret kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm për të fshehur mungesën e parave. Sipas kallëzimit, ato kanë transferuar mjete mes llogarive të ndryshme bankare të Lotarisë, kanë krijuar urdhërpagesa dhe kanë kryer transaksione fiktive për të paraqitur në mënyrë të rreme lëvizjet financiare.

Gjithashtu, dyshohet se janë përgatitur dhe përdorur dokumente të pavërteta financiare e kontabël, janë regjistruar pagesa fiktive në arkë dhe mjetet e kontestuara janë shpërndarë në konto të ndryshme kontabël.

Sipas dyshimeve të autoriteteve, në këtë mënyrë mungesa e parave është fshehur në librat afaristë.