Anulimi i lustrimit nga ana e Qeverisë mirëpritet nga të “prekurit”

Pas vendimit të Qeverisë për ta shfuqizuar Ligjin për lustrim, për Alsat flasin viktimat e këtij ligji. Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trëndafil Ivanovski vlerëson se Qeveria është vonuar me shfuqizimin e Ligjit dhe thotë se dëmet nga ky proces janë të pa kompensueshme. Po të ketë vullnet të sinqertë, Ivanovski thotë se do të duhet të japin përgjegjësi anëtarët e Komisionit për verifikimin e fakteve, në të kundërt lustrimi do të jetë temë parazgjedhore që “do të hap plagët e vjetra”.

Së pari duhet të tregohet gjendja se si u zbatua lustrimi, të dëshmohen fajtorët ndonëse dihen, të caktohet mënyra për përgjegjësinë për ato që kontribuuan për situatën e tillë. Nëse shkohet me dëm-shpërblim material, duhet të gjendet mënyrë e atillë që të mos kuptohet si bazë për taktizim komercial të avokatëve se cili do të kërkojë më shumë e kush më pak dhe e njëjta të mos e ngarkojë qytetarin, popullin tonë të vuajtur sa të thotë “A edhe për këtë të ndajmë para?!” Të gjendet ndonjë konsensus për t’i ikur tregtisë me drejtësinë- deklaroi Trëndafil Ivanovski, Ish Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Ish deputeti, Sefedin Haruni thekson se lustrimi u keqpërdor, ishte proces i montuar për heqjen e të gjithë kundërshtarëve politik të pushtetit të atëhershëm nga skena politike, pavarësisht se nuk kishte asnjë dëshmi. Haruni shton se pasojat që lustrimi iu shkaktoi personaliteteve të ndryshme dhe familjeve të tyre nuk mund të riparohen.

Asnjëherë. Dëmi shpirtëror nuk ka mundësi të mbulohet. Por unë kam qenë i sigurt edhe herën e parë e edhe herën e dytë se do të vonojë ky proces, por mbi të gjitha e di që jam i diferencuar politik. Pas pjesëmarrjes sime në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me referat shkencor, më 1987 mora para-përjashtim prej pune. Dihet se kur vie vendimi para-përjashtim prej pune, pas 3 dite largohesh- tha Sefedin Haruni, Ish deputet.

Ivanovski dhe Haruni dolën të pastër pas vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Me procesin e lustrimit rreth 300 persona u shpallën bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, në mesin e të cilëve kishte politikanë, gazetarë, ish zyrtarë të lartë shtetërorë, bartës të funksioneve të ndryshme etj.